Lajme

Avokati i akredituar i Speciales: Krasniqi e Selimi në fund do të lirohen të pafajshëm, s’ka prova e as bazë për rast penal

Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Avokati i akredituar i Speciales, Skender Musa, ka deklaruar se Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi në fund do të lirohen të pafajshëm, pasi sipas tij s’ka prova e as bazë për rast penal.

Musa ka deklaruar se Specialja ka shkresa që kanë pranuar nga Serbia, por që nuk përputhen me realitetin.

“Vet fakti që nuk dorëzohen provat më herët, e pengon procesin gjyqësorë, e pengon përgatitjen e mbrojtjes, nuk mundem me thënë që ka ndonjë qëllim të caktuar nga ana e Prokurorisë edhe e Gjykatës Speciale, mirëpo e dëmton jashtëzakonisht mundësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur, edhe i dëmton të akuzuarit, dhe si pasojë e kësaj Gjykata e vazhdon paraburgimin duke pretenduar se ekziston mundësia për të ndikuar në prova edhe në dëshmitarë”, thotë ai për Front Online.

Musa ka theksuar se Gjykata Speciale do të dështoj, ku edhe do të përfundojë me lirimin e të akuzuarve.

“Nëse ka drejtësi edhe nëse vendoset në bazë të provave ligjeve, mendoj se epilogu ka me qenë lirimi i të akuzuarve të pafajshëm, po flas për Jakup Krasniqin, dhe Rexhep Selimin që i kam përcjell më shumë. Mendoj që ka me qenë vendimi përfundimtar lirues, për shkak që këto prova që deri tash kanë pretenduar që ekzistojnë edhe që janë shpalos publikisht, realisht nuk ka  bazë as me inicu si rast penal e lëre me arrestu e me ngrit aktakuzë për dikë”, thotë ai.

Kanë kaluar dy vjet që kur ish-eprorët e UÇK-së janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Prokuroria po e zvarritë procesin e dorëzimit të provave për të akuzuarit.