Lajme Rreth 80 mijë studentë pritet të përfitojnë nga ndihma e shtetit prej 100 euro

Studentët e vlerësojnë ndihmesë afatshkurtër ndihmën prej 100 eurove nga Qeveria

Qeveria e Kosovës i ka ndarë nga 100 euro për secilin studentë kosovar.

Përfitues të këtij subvencioni janë rreth 80 mijë studentë të cilët po kryejnë studimet në universitete publike dhe private.

Për Blendina Veliqin, studente në Fakultetin e Filologjisë, ndihma prej 100 eurove nga Qeveria e Kosovës është ndihmesë afatshkurtër, që sipas saj pasi që t’i shpenzosh kthehesh sërish në gjendjen fillestare.

“Qeveria, studentet mund t’i ndihmoje edhe në forma tjera. Sepse 100 eurot siç e potencova nuk janë zgjedhje e problemeve. Problemi kryesor qëndron tek cilësia e arsimit, e kemi parë se në cilin vend të ranglistës së “Webometrics” për cilësi në arsim është renditur Universiteti i Prishtinës, prandaj qeveria duhet të punoj për ngritjen e cilësisë arsimore t’i mbështes studentët me potencial dhe tu ofroj kushte të favorshme pune pas diplomimit”, ka thënë ajo për Shqip.com

Veliqi ka thënë se një numër i konsiderueshëm i studenteve janë edhe pa punë, andaj gjithsesi që 100 eurot nuk janë mbulese për shpenzimet e tyre.

Ndërsa studenti tjetër nga departamenti i Gjermanishtes në Fakultetin e Filologjisë, Bleron Arifi, ndihmesën e Qeverisë së Kosovës e ka parë si medalje nga të dyja anët.

 “Është një gjë e mirë për ne si studentë, duke u bazuar që nuk jemi të punësuar dhe koha e studimeve ka shpenzime. Duke e parë rritjen e çmimeve në vendin tonë kjo është një ndihmesë. Nga ana tjetër, fakti se kjo ndihmë është vetëm një herë, le më tepër për të dëshiruar”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi ka thënë për Shqip.com se e kanë mirëpritur këtë vendim, pasi që sipas tij më këtë ndihmë mund të bëhet pagesa e një muajit për banim apo për ushqim.

“Fatkeqësisht çmimet janë rritur në të gjitha sektorët dhe kjo po i pengon shumë studentët, sidomos shtrenjtimi i biletave të autobusit, ushqimit dhe banimit. Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që studentët të kenë rol parësor për t’u ndihmuar ekonomikisht në këtë krizë, pasi që ata janë e ardhmëria e shtetit tonë”, ka thënë Azizi.

Ai gjithashtu ka treguar se mendojnë që studentët duhet të kenë ndihma të paktën për një vit, pasi që për shumë prej tyre me ritmin e rritjes të inflacionit, do të bëhet e papërballueshme që të vazhdojnë studimet.

“Studentët janë gjithmonë “të varfër”. Prandaj sa më shumë që ndihmohen, aq më mirë. Kushdo që ka qenë student e kupton nevojën për ndihmë, pasi që studentët janë gjëja më e çmuar e një shteti”, ka përfunduar Azizi.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që t’i ndajë nga 100 euro shtesë për punëtorët e sektorit privat, publik, pensionistët dhe studentët.

Në universitetet publike dhe private në vend janë rreth 80 mijë studentë./Shqip.com