Artistët nga Kosova e Shqipëria, shfaqin përgjimet e shqiptarëve në vitet e 1960-ta
Kosova dhe Shqipëria, do të tregojnë bashkë histori të së kaluarës.
Më 1 maj në ambientet e Muzeut të Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit “Shtëpia e Gjetheve”, do të shfaqet premiera e shfaqjes “ÇIMKA”.
Shfaqja është në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet, Artpolis në Prishtinë.
Me autor të Shpëtim Selmanit dhe nën regjinë e Zana Hoxha, sipas përshkrimit të shfaqjes “ÇIMKA”, është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë.

E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, “ÇIMKA” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj.
E konceptuar nga regjisorja Zana Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vet “Shtëpia e gjetheve”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperiementale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960.
Kjo shfaqje si rrallëherë bën bashkë një kastë impresive të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, dhe është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor.