Lajme

Pika e re kufitare Shishtavec-Krushevë, pritet të zhvillojë turizmin në këtë zonë

Pika kufitare Shishtavec - Krushevë

Shqipëria dhe Kosova kanë përuruar hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shishtavec-Krushevë.

Kjo pikë kufitare, përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve nga të dyja anët, do të shërbejë edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

Kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Bledar Çuçi në ceremoninë e hapjes së kësaj pike kufitare.

“Besoj se të gjithë përfitimet që do të pësojnë të dy komunitetet në dy anët që në fakt kanë një lidhje historike shumë më të largët se sa historia jonë e afërt, ne nuk bëjmë asgjë tjetër veç se i kthejmë ata në historinë e tyre, në traditat e tyre dhe ky është qëllimi parësorë si kundër pastaj edhe qëllimet e tjera që lidhen me krijimin e kanaleve të lëvizshmërisë qoftë të njerëzve qoftë të mallrave, të turizmit. Të dy anët e kufirit janë zona me potenciale të jashtëzakonshme të turizmi…Në agjendën e përbashkët të filluar me nënshkrimin e tri marrëveshjeve, por që nuk do të ndalojë te këto tri marrëveshje, ky është një nga hapat e rëndësishëm të këtyre tri marrëveshjeve”, tha Çuçi.

Ministri i MPB-së së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ministri i MPB-së së Shqipërisë, Bledar Çuçi

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se hapja e kësaj pike është dëshmi e vullnetit të të dy qeverive që të tejkalohen të gjitha vështirësitë dhe jetën e qytetarëve ta bëjnë sa më të lehtë.

“Forcimi i raporteve tona nuk do të ndalet këtu. Kjo është realizimi i marrëveshjes së dytë nga tri të cilat dy ministritë tona, dy qeveritë tona i kanë nënshkruar por do të ketë edhe marrëveshje tjera. Shumë punë duhet të bëjmë që bashkëpunimi ynë të jetë sa më i afërt, sa më dinamik e që qytetarin e zakonshëm të jetë sa më i padukshëm që ne realisht ta përmbushim misionin tonë të parë, të jemi në shërbim të tyre”, tha Sveçla.

Sipas ministrit Sveçla, kjo pikë kufitare do të jetë e hapur 24 orë dhe shtatë ditë në javë që do t’i shërbejë qytetarëve të Kosovës e Shqipërisë dhe shtetasve të vendeve të treta.

Pika kufitare, Shishtavec-Krushevë u hap pas marrëveshjes së nënshkruar nëntorin e shkuar mes dy qeverive shqiptare./Shqip.com