Lajme

Kurti: E kthyem dialogun nga takim i fshehtë për ndarjen e Kosovës, në proces transparent

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme për referendumin

Në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës ku po debatohet për politikën e jashtme, kryeministri Albin Kurti tha se dialogun e ka kthyer nga “takime të fshehta” në një proces transparent.

“E kthyem dialogun nga takimet e fshehta për ndarjen e Kosovës në një proces transparent që e ka njohjen reciproke në qendër të saj. Në këtë mënyrë Serbia është ç’armatosur në luftën e saj kundër Kosovës”, u shpreh Kurti para deputetëve.

Më tej, Kurti ka shtuarse kanë nënshkruar 85 marrëveshje ndërkombëtare dhe teknike si dhe kanë nisur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtete të reja.

Ilustrim

Mes tjerash, Kurti bëri të ditur se ka nënshkruar një rregullore të re për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ky institucion ende rregullohet me ligjet të cilat janë miratuar në kohën kur është themeluar. Së shpejti MPJD do të funksionojë me ligje e rregullore që I përgjigjen nevojave të kohës”, u shpreh Kurti.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka ndodhur më 22 shkurt, ku kryenegociatorët e çështjeve teknike, Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë, kanë zhvilluar takime dypalëshe me zyrtarët e BE-së, por nuk ka pasur takim të përbashkët midis tyre.

Qeveria e Kosovës kishte dalë me një njoftim ku thuhet se është folur për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese.

Rundi i ri i bisedimeve të 22 shkurtit u zhvillua pas një kohe relativisht të gjatë pa takime, me përjashtim të atyre të ekspertëve për çështjen e targave të veturave.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian ka nisur më 2011./Shqip.com