Mehaj: Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit

Ministri i Mbrojtjes së Kosovë, Armend Mehaj ka thënë se Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit.
Sipas ministrit të mbrotjes më këto veprime rikonfirmohet sjellja destruktive dhe shumë e rrezikshme anti-perëndimore e Serbisë.
“Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia. Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Po ashtu Mehaj ka shtruar pyetjen se nga kush po rrezikohet Serbia apo edhe kundër kujt po armatoset me sisteme të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse.

“Ç’është kjo hipokrizi? Deri kur me këto standarde të dyfishta? Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, vazhdon tutje Mehaj.
Mehaj ka kërkuar nga NATO, BE e OKB që të shqyrtoj këtë çështje./Shqip.com