Kandidatët e rinj për policë, në shkollimin e tyre kishin sukses të mjaftueshëm ose të mirë
Shumica e kandidatëve të cilët kishin aplikuar për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës nuk kishin pasur rezultate të mira në shkollimin e tyre fillor dhe të mesëm.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka deklaruar se shumica e kandidatëve të cilët pretendonin për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës kishin sukses të mirë dhe të mjaftueshëm.
Në konkursin publik për 250 vende të lira në Policinë e Kosovës kishin aplikuar mbi 11 mijë kandidatë.
Policia kishte kërkuar mbështetjen e profesorëve të Universitetit Publik për hartimin e pyetjeve në lëndën e matematikës dhe gjuhës shqipe.
Mehmeti në Komisionin për Siguri ka deklaruar se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për policë të rinj ishte i rregullt dhe transparent.
Ai ka thënë se pyetjet të cilat iu janë parashtruar kandidatëve nuk kanë qenë të vështira.
“Policia ka themeluar grupin punues të cilët gjatë hartimit të pyetjeve kanë qenë me koncenzues të përbashkët që pyetjet të jenë të thjeshta të logjikshme pa u fokusuar në njohuri të thelluara akademike. Kryesisht pyetje që mësohen në shkollën fillore dhe të mesme. Dhe që të mund të përgjigjen në to të gjithë ata nxënës që kanë kryer shkollën fillore dhe të mesme me sukses mesatar”, ka thënë ai.
Mirëpo thotë se kandidatët të cilët kishin konkurruar për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës në shkollimin fillor dhe të mesëm nuk kishin pasur rezultate të mira.
“Gjatë shqyrtimit të aplikacioneve komisioni ka vërejt se një numër i madh i kandidatëve në konkursin për zyrtarë policor ka pasur rezultate të kalueshmërisë në shkollim të mesme të mjaftueshëm ose të mirë.
Gjatë shqyrtimit të aplikacioneve komisioni ka vërejt se pjesa më e madhe e kandidatëve kanë rezultate të kalueshmërisë së shkollimit të mjaftueshëm ose të mirë”, ka thënë Mehmeti. /Shqip.com