Giresse: Ndeshja me Zvicrën do të jetë emocionale marrë parasysh historinë

Të hënën trajneri i Kosovës, Alain Girsee dha konferencë për media para ndeshjes me Zvicrën.
Ai tha se kundër Zvicrës është emocionale duke pasur parasysh aspektin historik.
“Duke marrë parasysh historinë, lidhjen e shqiptarëve të Kosovës që luajnë me Zvicrën, besoj se do të jetë emocionale”, ndërsa shtoi po ashtu se “këtë lojë e kam përgatitur sikurse për ndeshjet tjera dhe nuk besoj se do të kenë telashe në aspektin emocional”.
Kjo pasi që lojtarë si Shaqiri, Xhaka apo edhe Andi Zeqiri pritet të luajnë kundër “Dardanëve” ditën e martë.

Në konferencë ishte prezent edhe lojtari i përfaqësueses Florend Hadërgjonaj, që aktivizohet tek Kasimpasa në Superligën Turke.
“Ne përgatitemi për çdo ndeshje. Besoj se po, kemi (kapacitet për ta mposhtur Zvicrën). Ne kemi treguar lojë të mira me kundërshtarë të të njejtit kalibër, është lojë miqësore por do ta japim maksimumin”, tha ai.
Duke pasur faktin se nesër në “Letzigrund Stadion” të Cyrihut, shumica e shikuesve do të jenë shqiptar, 27 vjeçari tha se do të jenë të motivuar.
“Natyrisht, kemi luajtur gati dy vite pa tifozë dhe ata na kanë munguar. Do të jetë motiv më shumë të luajmë me praninë dhe përkrahjen e tyre”, mbylli mbrojtësi i krahut.
Përndryshe, “Helvetikët” vien pas humbjes ndaj Anglisë 2:1, kurse “Dardanët” kanë momentumin në anën e tyre pas ‘deklasimit’ të Burkina Fason të enjten në “Fadil Vokrri”. /Shqip.com