Lajme

47 fëmijë janë infektuar me COVID-19 në dy ditët e fundit

Ambulanca për COVID

47 fëmijë janë infektuar me COVID-19 në Kosovë vetëm në dy ditët e fundit.

Autoritetet shëndetësore thonë se gjendja e tyre është stabile, pasi shumica janë duke u trajtuar në shtëpi.

Vetëm një nga fëmijët e moshës së re (nga 0-9 vjeç) që ka dalë pozitiv me COVID-19, është duke u trajtuar në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Rifadije Maqastena-Maxhuni, doktoreshë në Klinikën e Pediatrisë, tha për Radion Evropa e Lirë, së fëmija i pranuar në klinikë, që ka rezultuar pozitiv me COVID-19, është i izoluar dhe po e merr trajtimin e duhur.

“Pacienti është duke u trajtuar me terapi dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, tha ajo.

Prej 13 marsit të vitit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, e deri më tash, në Klinikën e Pediatrisë në QKUK janë trajtuar 68 fëmijë të infektuar me Coronavirus.

Numri i rasteve me COVID-19 ditëve të fundit është në rritje, kurse më 5 gusht, u regjistruan 195 raste të reja pas testimit të tre mijë e 730 mostrave./SHQIP.com