Lajme

Kurti: Qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8200 hektarë tokë të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po e pret qeverinë e re në Mal të Zi që të fillojnë takimet e përbashkëta siç u zhvilluan edhe me shtetet tjera të rajonit.

Temë diskutimi, Kurti tha se do të jetë edhe çështja e Demarkacionit me këtë shtet, i ratifikuar katër vite më parë.

Kurti tha se qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, tha Kurti.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, tha Kurti pas vizitës që i ka bërë shkollës “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.

Flamuri i Malit të Zi dhe i Kosovës

Pasditen e 21 marsit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga Vetëvendosje. Për shkak të hedhjes së gazit atë ditë, shumica e deputetëve të VV-së u përjashtuan nga seanca.

Procesi i miratimit të demarkacionit zgjati tri vjet dhe u paraprijë nga një debat i madh, protesta dhe reagime të shumta nga qytetarë, politikanë dhe ndërkombëtarë.

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015. Mirëpo deri te ratifikimi në Kuvend, Kosova kaloi nëpër trazira të ndryshme.

Në atë kohë, opozita kundërshtoi demarkacionin përmes protestave dhe gazit lotsjellës në Kuvend.

Kjo marrëveshje u shndërrua në një ndër kushtet kryesore të shtetit të Kosovës për liberalizimin e vizave dhe nuk u votua nga deputetët deri në momentin kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Filip Vujanoviq nxorën një deklaratë të përbashkët e cila parasheh rishikimin dhe përmirësimin e gabimeve eventuale./Shqip.com