Lajme

Miratohet në parim Projektligji për Qeverinë

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në parim Projektligjin për Qeverinë.

Me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka kaluar në lexim të parë ky projektligj.

Ani pse pozitë dhe opozitë u pajtuan njëzëri, këta të fundit kanë deklaruar se do të duhet të ndërhyjnë në disa pika për lexim të dytë.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti tha se Ligji për Qeverinë, do duhej të parashihte edhe numrin e ministrive dhe normativën e përcaktuar në këtë aspekt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Nevoja për një projektligj të këtillë nuk do sqarim. Megjithatë, sot për herë të parë prezantohet projektligji për qeverinë para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Deri më tani, puna e qeverisë ishte e rregulluar me akte nënligjore duke lejuar kësisoj hapësirë për intervenime më të lehta në funksionimin dhe përgjegjësinë e qeverisë. Përshtatshmëria e aktit me kërkesë të qeverisë tani më zëvendësohet me përshtatjen e punës së kabinetit qeveritar ndaj normave ligjore, të cilat parashohin mandatin, kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë”, tha ai.

Në fund shtoi se ky projektligj është në pajtim me opinionin e Komisionit të Venedikut./Shqip.com