Lajme

800 mijë doza të vaksinës në stok apelohet për vaksinim

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, për të parë nga afër punën që bëhet në këtë institucion shëndetësor.

Nga aty deputetët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi mbi 800 mijë doza të vaksinës anti-COVID janë në stok në Kosovë.

Vizita është bërë në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetësisë.

Ata, gjithashtu kanë vizituar edhe depon e vaksinave në IKShPK

Në takim u pritën nga drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, i cili falënderoi anëtarët e komisionit.

Ai tha se procesi i vaksinimit mund të shënohet si storie e suksesshme për Kosovën.

“Vaksinimin mund ta  shënojmë sot në ditën botërore të shëndetit si storie tejet e suksesshme për popullatën e Kosovës, ku i kemi arritur objektivat tona dhe po vazhdojmë me të njëjtin intensitet  të punojmë edhe më tutje pa u ndalur dhe ekipet pa pushuar fare në mënyrë që të realizojë të gjitha objektivat e mbikëqyrjes së përgjithshme të Covid-19 deri në përfundimin defenitiv”, tha ai.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen pasi tha se ka një rënie të lehtë dhe ka mjaftueshëm vaksina.

“Duke i falënderuar drejtorin dhe gjithë stafin e IKPSHK dhe degëve rajonale për gjithë punën e bërë në këto dy e që jemi në vitin e tretë të pandemisë në nivel global dhe epidemisë në nivel vendi, fatmirësisht me një situatë shumë më të qetë epidemiologjike. Me një mesazh nga ky vend, është evidente që kemi rënie të kërkesës për vaksinim ndërsa vaksina ka mjaftueshëm siç e kuptuam sot dhe i ftojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë që të vaksinohen”

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga institucionet që punëtorët shëndetësorë të kenë një përkushtim më të madh. Haxhiu ka kërkuar që investimi të bëhet në parandalimin e sëmundjeve pasi sipas tij shumica e buxhetit të shtetit po shkon vetëm kah trajtimi.

“Dua të jap një falënderim të veçantë për të gjithë punëtorët shëndetësorë anekënd Kosovës  të cilët tani e dy vite kanë qenë në krye të detyrës me një përkushtim maksimal. Ftoj institucionet shtetërore që të kthejnë kokën kah punëtorët shëndetësorë dhe të mbështesin ata sepse mbrojtja e shëndetit  pa profesionist  të mirëfilltë shëndetësorë  nuk mund të arrihet. Këtë na e kanë dëshmuar më së miri gjatë kësaj pandemie më së miri të gjithë profesionistët shëndetësorë”, tha Haxhiu. /Shqip.com