Lajme

600 punëtorë të QKUK-së shkojnë në Shqipëri për ekskursion, Sindikata kërkohen të hetohet rasti

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka ftuar publikisht Inspektoratin e Punës, Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK dh Bordin e SHSKUK-së që urgjentisht të hetohet mënyra e lirimit nga puna të rreth 600 punëtorëve të QKUK-së për në ekskursionin në Shqipëri gjatë ditë së sotme.

Kjo është bërë përmes një reagimi nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës.

 Po ashtu sipas njoftimit thuhet se Sindikata e Infermierëve të Kosovës e kupton nevojën e profesionistëve shëndetësor për sadopak relaks pas gjithë stresit të akumuluar gjatë periudhës me pandeminë COVID-19 dhe është pro aktiviteteve të cilat e lehtësojnë ngarkesën psikologjike të të gjithë atyre që gjatë këtyre muajve dhanë maksimumin e tyre në shërbim të qytetarëve.

Por Sindikata e Infermierëve të Kosovës në anën tjetër konsideron që me këtë veprim është rrezikuar dhe kufizuar pa të drejtë dhënia e shërbimeve qytetarëve, ndërsa barra e punës i’u është lënë stafit mbështetës të cilët tash e 3 muaj nuk kanë paga, ndërsa tani pritet që të mbesin edhe pa punë.

Në këtë kontekst Sindikata e Infermierëve të Kosovës konsideron që në eventualitet të “betejave” sindikale apo hakmarrjeve, për marrje primati apo edhe për të fituar poenë brenda komuniteteve, shërbimet nuk duhet kufizuar apo rrezikuar në asnjë rast dhe për asnjë çmim.

‘’“Betejat” sindikale fitohen përmes plotësimit të kërkesave të atyre që përfaqësojmë, rregullimit të statusit social dhe përmirësimit të mirëqenies sociale dhe ekonomike të atyre që përfaqësojmë, e jo duke ndëshkuar qytetarë për teka dhe protagonizëm’’ thuhet në reagimin e Sindikatës.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës konsideron që me e drejtë dhe e moralshme do ishte organizimi i një eventi si shenjë falënderimi për të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan gjatë pandemisë COVID-19 thuhet më tutje në reagimin e Sindikatës./Shqip.com