Lajme

5 ditë pas protestës, reagon Dokufesti: Ka përpjekje të fshehtë për ta minuar misionin tonë

Festivali i filmit të Kosovës “Dokufest”, ka reaguar për ngjarjet aktuale lidhur me koncertin e artistes dhe të aktivistes për të drejtat e njeriut, “Peaches” dhe së fundi edhe me sulmin ndaj ekipit të “Nacionales” gjatë marshit protestues në “Shatervan” të Prizrenit.

“Dokufest” ka theksuar se “qëndrojnë të palëkundur si një platformë ku të drejtat e njeriut mbrohen dhe promovohen në mënyrë universale, pa dallim”.

Njëkohësisht, ata janë shprehur se janë të shqetësuar nga përhapja e dezinformatave që sugjerojnë se koncerti i hapjes së “DokuNights” ishte i qasshëm për të miturit, si dhe nga retorika nxitëse e urrejtjes që pasoi.

Lexo edhe:
Profesori nga Medreseja, ftesë kundër “DokuFest-it”

“Kjo na ka bërë të dyshojmë se ka përpjekje të fshehtë për të minuar misionin tonë për adresimin e të drejtave të njeriut dhe çështjeve sociale përmes artit dhe kulturës”, thuhet në reagimin e tyre në rrjetin social “Facebook”.

Reagimi i plotë:

DokuFest qëndron i palëkundur si një platformë ku të drejtat e njeriut mbrohen dhe promovohen në mënyrë universale, pa dallim. Jemi thellësisht të shqetësuar nga përhapja e fundit e dezinformatave që sugjerojnë se koncerti i hapjes së DokuNights ishte i qasshëm për të miturit, si dhe nga retorika nxitëse e urrejtjes që pasoi. Kjo na ka bërë të dyshojmë se ka përpjekje të fshehtë për të minuar misionin tonë për adresimin e të drejtave të njeriut dhe çështjeve sociale përmes artit dhe kulturës.

Dëshirojmë të vendosim gjërat drejt në lidhje me koncertin e artistes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, ‘Peaches’. Koncerti në fjalë u zhvillua brenda një zone të rrethuar mirë, e kufizuar rreptësishtë për të pranishmit 18 vjeç e mbi, vetëm me bileta të blera.

Akuzat e pabaza ndaj festivalit tonë, fatkeqësisht kanë bërë jehonë në media, përfshirë ato ndërkombëtare, duke paraqitur një pamje të padëshiruar që keqinterpreton vlerat progresive dhe demokratike të shoqërisë sonë. Është thellësisht shqetësues fakti që retorika nxitëse nga disa figura publike ka eskaluar në dhunë gjatë protestës, siç u pa në rastin e gazetarit të mediumit Nacionale, Vullnet Krasniqi. Kërkojmë nga autoritetet që të sigurojnë që autorët e këtyre akteve të urrejtjes të sillen para drejtësisë.

Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për shumicën e qytetarëve të Prizrenit që nuk iu nënshtruan provokimeve të tilla. Mbështetja, mikpritja dhe bujaria e tyre kanë qenë gjithmonë një gur themel i suksesit të festivalit tonë.

DokuFest është dhe do të jetë gjithmonë një fener për të drejtat e njeriut. Ne mbetemi të palëkundur dhe të sigurt në misionin tonë për të promovuar të drejtat e njeriut dhe barazinë për të gjithë.

/Shqip.com