Lajme

Flet kryetari i Istogut: Nuk e dimë për çka janë arrestuar zyrtarët e Komunës

Komuna e Istogut

Aksioni “Subvencione 2021”, i nisur muaj më parë në disa komuna të Kosovës, po vazhdon edhe sot me arrestimin e një numri tjetër të zyrtarëve të përfshirë në keqpërdorim të subvencioneve në bujqësi, njofton Shqip.com.

Katër zyrtarë janë arrestuar vetëm nga Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Istogut.

Kryetari i kësaj komunë, Ilir Ferati tha se nga Policia e Kosovës nuk kanë pranuar ende ndonjë sqarim rreth arsyes së arrestimit të zyrtarëve.

“Nuk kemi marrë kurrëfarë informatave nga Policia në lidhje me arrestimet e sotme”, tha Ferati.

Me tej, ai dha sqarime edhe rreth kontratave të zyrtarëve të arrestuar.

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati

“I kanë arrestu katër zyrtarë. Tre prej tyre janë me kontratë mbi vepër, njëri me kontratë të përhershme”, tha Ferati për Shqip.com.

Këtë aksion për Shqip.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët thonë se detaje do të jepen pas përfundimit të tij.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në njoftim./Shqip.com