Lajme

24 vjet nga vrasja e Enver Malokut

Sot, me datë 11 janar 2023, janë bërë 24 vjet nga vrasja e publicistit dhe anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Enver Maloku, i cili ishte edhe njeri shumë i afërt me ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

Ai është vlerësuar lartë për rolin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Figura të larta vendore i kanë dhënë epitete të mëdha, si: gazetar vetëmohues, ëndërrimtar i lirisë, intelektual i pashoq, adhurues i shkrimit, rokut, e vetë shpirtit kulturor të shoqërisë sonë, e para se gjithash një patriot model i orëve më të rënda të Kosovës.

Po ashtu, njerëz të afër të Malokut, e kanë cilësuar atë si një nga qendrëstarët më të mëdhenj të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të strukturave politike nacionale që kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Enver Maloku dhe Sabri Hamiti

Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 2 shkurt 1954. Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës.

Enver Maloku, gazetari i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë.

Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ishte udhëheqës i Qendrës për Informim në Kosovë, e cila gjatë viteve nëntëdhjeta shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve.

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh.

Ai u vra në lagjen Bregu i Diellit më 11 janar të vitit 1999, në kohë lufte, teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë, nga persona ende të panjohur për drejtësinë kosovare.

Rrugëtimi i tij drejt lirisë u ndërpre në gjysmë, por ëndrra e nisur nga ai vazhdon të mbetet udhërrëfim.

Në komentet e kohës kur u vra, u tha se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, ish-presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë”.

Ibrahim Rugova dhe Enver Maloku

Ndërsa, më 4 prill 2016, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”.

Për nder të veprimtarisë së tij, shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrin “Enver Maloku”.

/Shqip.com