Lajme

2277 qenë endacakë në Prishtinë – sheshet, parqet dhe rruga B e C zonat më të frekuentuarat

Qen endacakë Foto: Shqip.com
Qen endacakë Foto: Shqip.com

Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një ndër problemet e vazhdueshme me të cilin është përballur Prishtina, por edhe qytetet e tjera në Kosovë.

Për të zgjidhur këtë problem, Komuna e Prishtinës ka ndarë 753 mijë euro ku ndër të tjerash përfshihet edhe ndërtimi i strehimores.

Lexo edhe:
Komuna e Prishtinës ndan afër 800 mijë euro për qentë endacakë por s’din sa i ka në territor

Anipse janë ndarë afër 800 mijë euro për qentë endacakë, Këshilltari për Siguri në Komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj në një përgjigje me shkrim për Shqip.com ka thënë se nuk kanë shifra mbi numrin e qenve endacakë në Prishtinë e as në Kosovë.

Megjithatë thotë se mbledhja e informatave në terren, ka nisur nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve (FDK).

Mjetet financiare të alokuara për vitin 2022 për qentë endacakë nga Komuna e Prishtinës

E këta të fundit thonë se përmes një pilot projekti, rezulton se në kryeqytet janë 2277 qenë endacakë.

Elza Ramadani nga FDK tha për Shqip.com se 70 përqind e qenve endacakë që enden rrugëve të kryeqytetit janë të sterilizuar.

“Në qendër 70% të qenve janë sterilizuar, kurse në vendet e tjera vetëm 30-50%, gjë që është pak dhe po shpresojmë që me intervenimin e projektit të tanishëm në Komunën e Prishtinës ky numër mund të stabilizohet”, u shpreh Ramadani.

Ramadani tha se sipas hulumtimeve nga Prishtina hotspot del se “pikat/lagjet që ka më së shumti qen endacak si qendra (sheshi), parqet, rruga B dhe C”.

Elza Ramadani (FDK)

Ndërsa, thekson se 48 qenë endacakë kanë prezencë në qendër të kryeqytetit, te Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe në park të qytetit.

Theksojmë se nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, në seancën e Kuvendit Komunal më 28 prill teksa po diskutohej për qentë endacakë, ka thënë se në Prishtinë janë nga pesë mijë deri në 10 mijë qenë enacakë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021 ishin raportuar 89 raste të sulmeve nga qentë endacakë ndaj qytetarëve në kryeqytet.

Ndërsa statistikat për tre mujorin e parë të vitit 2022 janë raportuar 42 raste të sulmeve nga qentë endacakë.

Çka thotë ligji?

Ligji për veterinarinë parasheh që komunat në pajtim me procedurat e vendosura nga Ministria e Bujqësisë, duhet të regjistrojnë qentë, të bëjnë vaksinimin vjetor kundër tërbimit, të kapin qentë dhe macet e rrugës nëse është e nevojshme, si dhe të themelojnë vende për përkujdesje për qentë dhe macet, sipas nevojës./Shqip.com