Kulturë

21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë

21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë
21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë

Sot, më 21 mars, shënohet dita botërore e poezisë, e cila është shpallur që nga viti 1999 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye, UNESCO bën thirrje për të na kujtuar “bukurinë që na rrethon dhe qëndrueshmërinë e shpirtit të përbashkët njerëzor”.

Andaj, poezia është një ndër gjinitë letrare ku porosia e poetit shprehet me anë të vargjeve dhe si e tillë ajo ashtu konsiderohet si lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare.

Poetja e njohur, Naime Beqiraj, ka thënë se, ajo që është për t’u marrë lakmi për këtë ngjarje është se vitet e fundit, e sidomos këtë vit, ka aktivitete, ngjarje, kujtesë për poetët që nuk janë më.

Naime Beqiraj, poete e njohur shqiptare

Të gjitha këto më shumë se sa veprën e tyre, na nderon neve si shoqëri, ndonëse traditën e krijimit të poezisë nuk e kemi më të gjatë se dy shekuj (pa përfshirë periudhën e Humanizmit dhe poetët Pjetër Pudi e Pjetër Bogdani)”, ka thënë Naime Beqiraj, për mediumin Shqip.com.

Ndryshe, nga ana e PEN Qendrës së Kosovës është mbajtur një takim letrar, ku ka pas përurime librash, ndërsa edhe në shkolla janë mbajtur takime letrare.

Fjala vjen në “The British Scchol of Kosova” është mbajtur një takim letrar me poetë kosovarë, ndërsa nxënësit i kanë vizatuar portretet e poetëve dhe i kanë deklamuar vargjet e tyre. Kjo flet qëndrueshëm që lidhja e poezisë me lexuesin dhe me artet tjera po vazhdon të jetë interesante dhe e kërkuar”, ka thënë tutje Beqiraj.

Ndryshe mendon poeti Biser Mehmeti. Sipas tij, në Ditën Botërore të Poezisë, të ne në Kosovë, nuk i kushtohet rëndësi e duhur artit poetik dhe ky fakt dëshmon mjerimin tonë kulturor!

Biser Mehmeti, poet i njohur shqiptar

Mundohem t’i përcjell veprat që botohen të ne, sidomos në qytetin ku jetoj. Mirëpo, shumica e veprave me poezi janë tmerrësisht të dobëta për nga vlera letrare! E keqja më e madhe qëndron në faktin së autorët e këtyre veprave pa kurrfarë vlere për redaktorë kanë persona që kurrë në jetën e tyre nuk kanë shkruar se paku një poezi!”, ka thënë Biser Mehmeti, për mediumin Shqip.com.

Nisur nga konteksti i përgjithshëm, edhe poetja Brikenë Ceraja-Beka, ka thënë se pak është bërë dhe po ashtu vazhdon të këtë pak interesim për zhanrin e poezisë.

Lexohet shumë pak, ndoshta edhe për faktin se poezia është më e vështirë të kuptohet nga lexuesit jashtë profesionit të letërsisë. Mendoj se duhet më shumë të mbahen orë letrare që përmes deklamimit të tyre besoj se edhe më shumë do ta kultivojnë poezinë dhe do ta lexojnë”, ka thënë poetja Brikenë Ceraja-Beka, për mediumin Shqip.com.

E, poeti Vilson Culaj, ka thënë se për poezinë nuk bëhet asgjë, por poezia na mëson për çdo kohë që e përjetojmë.

Vilson Culaj, poet i njohur shqiptar

Iniciativat personale e kanë zëvendësuar atë institucionale, ku në fakt duhej të ekzistonte e kundërta. Por, mbi të gjitha, është shpirti krijues që e madhështon kulturën letrare”, ka thënë poeti Vilson Culaj, për Shqip.com.

Dita Botërore e Poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh.

Poezia e sotme shqipe, dhe kreativiteti me duken shumë të kundërta. Se sot poezia, në shumë, raste është me deklarative, Ku shpesh hasim në përshkrime të një ngjarje ditore apo mund edhe të mbajë zhargone të fjalëve. Kreativiteti i një poezie qëndron në artin e figurave, që poezinë e bëjnë më të fuqishme dhe t’i qëndrojë kohës”, ka thënë Ceraja-Beka.

E, poeti Mehmeti, ka thënë se poezia si zhanër letrar është mënyra më e përshtatshme për të shprehur botën e brendshme të autorit dhe se këtë aftësi nuk e posedojnë shumë autorë.

Të shkruash poezi nuk është aspak e lehtë ashtu si mendojnë disa persona që merren me shkrimin e poezive!”, ka thënë në fund Mehmeti.

Sipas poetit Culaj, bota letrare është vrapim me pengesa, por edhe katarsisi i vlerave në maratonën e madhe të vlerave.

Shërbejë letërsisë e mbretëro”, është mesazhi i poetit Culaj.

Ndryshe, poezia është një ndër gjinitë letrare ku porosia e poetit shprehet me anë të vargjeve dhe si e tillë ajo ashtu konsiderohet si lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare.

Pa dyshim se poezia është shpirti dhe dashuria e poetit, që lexuesin mundohet të bëjë për vete dhe brenda vargut të jetë edhe ai personazh në atë poezi. Poeti çdo herë në vargun e tij tematizon dromca nga jeta e koha që e rrethon, është e pa besuar se lexuesin nuk e përfshinë në ato situata”, ka thënë në fund Ceraja-Beka.

Brikenë Ceraja-Beka, poete e njohur shqiptare

E, poeti Culaj, ka thënë se, poezia nuk është vetëm emocion individual, por ekzistenca e memoria jonë kolektive

Në të është e ngjizur shpirti profetik dhe dykohësia jonë që na largon nga instinkti Nekrofil drejt biofilisë dhe ngadhënjimit bujar”, ka thënë Culaj.

Krejt në fund, poetja Beqiraj ka thënë se, poezia, në përgjithësi është art që nuk lexohet shumë siç lexohet proza, por poezia është art që lexohet e shijohet me finesë nga shpirtrat e zgjedhur, njerëzit me dije artistike e me shpirt fisnik.

Megjithatë, që nga lashtësia, poezia është emëruar si një prodhim i shpirtit të njeriut që vjen si zë nga brendësia e tij dhe një krijim mendor që për substancë të vet të materializmit e ka fjalën e zgjedhur me peshë artistike.

/Shqip.com