Lajme

20 të arrestuar nga qershori për zjarrvënie në Kosovë

Zjarret në Kosovë

Policia e Kosovës njofton se nga muaji qershor i këtij viti deri të martën e 10 gushtit, ka evidentuar 109 raste të zjarrvënieve, 71 raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe 95 incidente zjarri.

Sipas njoftimit, lidhur me rastet e sipërcekura janë iniciuar procedura penale, dhe janë identifikuar 41 persona të dyshuar, si dhe janë arrestuar gjithsej 20 të dyshuar të përfshirë në to.

“Gjatë kësaj periudhe ne falënderojmë qytetarët dhe institucionet tjera për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar në funksion të identifikimit të shpejtë të incidenteve të zjarrit, parandalimit të rasteve tjera të rrezikut të përgjithshëm dhe shpërndarjen e informacioneve lidhur me vetëdijesimin për rrezikun potencial që mund të vije nga veprimet e pakujdesshme të disa personave”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej, policia bën të ditur se po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa të vazhdueshme ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme./SHQIP.com