Lajme

2 muaj përjashtim nga Kuvendi, PS miraton e vetme rregulloren e re. Opozita: Nuk e njohim, s’do ta zbatojmë!

Mes tymueseve PS miratoi sot me 74 vota pro rregulloren e re e cila përjashton me 2 muaj deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend duke penguar zhvillimin normal të seancës.

Edhe seanca e sotme e Kuvendit u shoqërua nga skenar kaotike. Fillimisht deputetët e përjashtuar të Rithemelimit u përplasën me gardën e cila kishte bllokuar derën dhe nuk i lejonte ata të hyjnë.

Seanca e Kuvendit zgjati vetëm 8 minuta dhe u mbyll pa diskutime.

PS ka miratuar me 74 vota pro rregulloren e re për Kuvendin e cila parashikon masa më të forta ndëshkuese për deputetë të cilët krijojnë kaos të Kuvend, deri në 2 muaj përjashtim kush ndez flakadanë dhe bën akte dhune.

13 deputetë të opozitës ishin të përjashtuar nga seanca e kaluar për skenat kaotike në Kuvend.

Deputetët e përjashtuar

  1. Gazment Bardhi
  2. Sali Berisha
  3. Flamur Noka
  4. Edi Paloka
  5. Albana Vokshi
  6. Elda Hoti
  7. Ervin Salianji
  8. Bledion Nallbati
  9. Asllan Dogjani
  10. Lefter Gështenja
  11. Isuf Çelaj
  12. Luan Baçi
  13. Xhelal Mziu

Gazment Bardhi: Nuk e njohim rregulloren e re

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka ironizuar rregulloren e re të Kuvendit të miratuar vetëm me votat e mazhorancës, sipas së cilës deputetët që krijojnë kaos rrezikojnë të përjashtohen me 2 muaj.

Bardhi ironizoi duke thënë se nuk e kupton përse PS nuk e bëri përjashtimin 4 vite dhe të shpallte diktaturën. Ndërkohë, ai theksoi se do ta vijojnë aksionin parlamentar.

Do ta vijojmë aksionin. S’ka forca sigurie apo akte të njëanshme që pengojnë opozitën të kërkojë respektimin e të drejtave të veta kushtetuese. Mund ta kishin bërë dhe 4 vjet, derisa të mbaronte kjo legjislaturë mos të na lejonin, se kuptoj arsyen pse e kanë bërë 60 ditë. E kishin bërë 4 vjet dhe kishin rënë rehat dhe të kishin shpall zyrtarisht diktaturën në vend.

Do vazhdojmë të ushtrojmë misionin tonë dhe mandatin tonë. Me regjimin përplasesh se nuk do përqafohesh. Një njeri që qëndron në pushte me paratë e korrupsionit, e vetmja rrugë është përballja. Sa herë që mazhoranca përshkallëzon veprime ndaj opozitës është detyra jonë të përshkallëzojmë veprimet e tona”.

/Shqip.com