Sport Shqiptar

16-vjeçari Altin Gjokaj, i cili debutoi në Superligë me Drenicën, rrëfehet për synimet në karrierën që sapo ka filluar

“Gardiani” Altin Gjokaj në tetor të këtij viti debutoi në moshën 16-vjeçare në elitën e futbollit kosovar te skuadra e Drenicës.

Debutimi në ndeshjen Drenica – Malisheva shkoi për mrekulli për tinejxherin kosovar, i cili e ruajti portën e paprekur pasi që ndeshje përfundoi me rezultat “të bardhë” (0:0).

Altini e ruajti portën e “kuqezinjve” vetëm dy javë pasi i mbushi “16 pranvera”, ndërkohë që në një intervistë për Shqip.com është rrëfyer për karrierën e tij që sapo ka nisur.

“Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e ekipit të Drenicës. Kur më ka ftuar drejtori sportiv (Taulant Dajaku) më ka thënë se nuk po më fton që ta mbushi numrin, por për të luftuar për një vend në formacion. Jam i lumtur që fjalët e tij dolën të sakta. Ai është njeriu që më ka mbështetur më së shumti së bashku së bashku me kryesinë, trajnerët dhe bashkëlojtarët. Uroj që besimin e tyre t’ua kthejë ne mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë të premten për Shqip.com, Altin Gjokaj.

Gjokaj është pjesë edhe e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës.

Ai pati rastin të aktivizohet për Drenicën pasi që portieri tjetër Arnes Shala ishte ftuar nga përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Edy Reja për miqësoren me Arabinë Saudite.

Tutje, Gjokaj foli edhe për synimet e tij.

“Synimet janë që të punoj shumë dhe të përmirësohem çdo ditë. Duke treguar vlerat në fushë, besoj se do ta bëjë një hap më të madh në karrierë”, shtoi i riu Gjokaj.

Ai ka nënshkrua kontratë 3-vjeçare me Drenicën. Gjithsesi, së fundmi ka pranuar lajme të mira nga kryesia e klubit.

“Drejtuesit më kanë thënë se do të negociojmë për një kontratë me terme të reja. Unë do ta respektojë çdo vendim të klubit pasi që e ndjej mbështetjen e të gjithëve”, vlerësoi portieri i talentuar, Altin Gjokaj.

Drenica drejtohet nga trajneri Bekim Shotani dhe në këtë kampionat në 14 ndeshje të zhvilluara i ka tubuar 17 pikë dhe ndodhet në pozitën e pestë.

Duelin e radhës në Superligë e zhvillon ndaj Trepçës ’89 në udhëtim.

/Shqip.com