Lajme

140 fëmijë lëmoshkërkues në Kosovë, policia arreston 21 të dyshuar për keqtrajtim

Në Kosovë situate me fëmijë lëmoshë kërkues vazhdon të jetë alarmante.

Kjo për faktin se gjatë periudhës janar-qershor nga Policia e Kosovës janë identifikuar 140 fëmijë lëmoshë.

Kjo është bërë e ditur përmes një raporti policor në një përgjigje për Shqip.com

“Në periudhën kohore janar- qershor 2022 nga Policia e Kosovës janë identifikuar 140 fëmijë lëmoshë kërkues,  të cilët janë nga Republika e Kosovës dhe një numër më i madh nga ta janë edhe nga Republika e Shqipërisë” thuhet në përgjigjen e PK-së për Shqip.com

Sipas Policisë në të shumtën e rasteve këta fëmijë janë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo edhe  janë të detyruar nga prindërit e tyre apo nga personat e tretë.     

Po ashtu edhe nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore vetëm gjatë vitit 2022 janë identifikuar 44 fëmijë lëmoshë kërkues.

“Ndërsa rezultatet nga veprimet operacionale të kryera nga DHTQNJ (Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore) vetëm për vitin 2022 janë: Identifikimi i 44 fëmijëve në situatë rruge, prej tyre  36 shtetas të Kosovës dhe 08 shtetas të Shqipërisë” thuhet në përgjigjen e PK-së.

Lidhur më këtë situatë nga PK-ja është bërë e ditur se janë iniciuar dhe dorëzuar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse 18 raste për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”  neni 243 i KPRK-së  dhe janë arrestuar  21 persona të dyshuar për po të njëjtën vepër.

“Të gjithë fëmijët janë trajtuar sipas procedurave ligjore dhe janë referuar në institucionet përkatëse në këtë rast në Qendrat për Punë Sociale (QPS)” thuhet më tutje në njoftim.

Policia e Kosovës vazhdimisht trajton dukurinë e lëmoshë kërkuesve dhe mbledh informata me qëllim të verifikimit dhe hetimit nëse këta fëmijë shfrytëzohen si formë e trafikimit me njerëz dhe në kuadër të kësaj organizon edhe plane operative për identifikim të hershëm, mbrojtjen e tyre dhe referimin në institucione përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm, thuhet më tutje nga Policia e Kosovës./Shqip.com