Lajme

​Gërvalla në Iowa: Kosova po prodhon siguri dhe paqe në rajon e më gjerë

Kryediplomatja, Donika Gërvalla në Lowa.

“Kosova po prodhon siguri dhe paqe në rajon e më gjerë”, kështu ka thënë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, të shtunëb.

Delegacioni i Kosovës i përbërë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përfaqësues diplomatik të Kosovës në ShBA dhe përfaqësues të FSK-së, kanë vazhduar takimet zyrtare dhe pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme në Iowa, me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të Programit për Partneritet Shtetëror mes Kosovës dhe Iowa-s në sektorin e mbrojtjes.

Ata në takim janë pritur nga Gjeneralmajori Benjamin Corell, komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Lexo edhe:
Molliqaj: Qeveria Kurti është e rrezikshme dhe antidemokratike

Kryediplomatja Gërvalla shprehu falënderimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që institucionet e Kosovës dhe FSK-ja ka me Gardën Kombëtare të Iowa-s nga e cila tha se ka përfituar mjaftë shumë vendi ynë.

“Ky partneritet 10 vjeçar do të thotë shumë për Kosovën. Është një kontribut tepër i madh drejt FSK-së e cila ka përfituar nga ky partneritet duke u zhvilluar dhe modernizuar dhe duke u bërë forcë e stabilitetit dhe paqes në rajon”, ka thënë ndër tjerash ajo.

Forca e Sigurisë së Kosovës

Më pas delegacioni i Kosovës mori pjesë në një konferencë tematike me përfaqësues të institucioneve të Iowa-s, duke përfshi gjeneralmajori Benjamin Corell, qëllimi i së cilës ishte të diskutohej një strategji bashkëpunimi mes të dyja vendeve për një periudhë afatmesme, përmes projekteve të ndryshme në fushën e sigurisë.

Kryediplomatja pohoi se Qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar që të thelloj bashkëpunimin me shtetin e Iowa-s si dhe ka përmendur shumë storie suksesi të cilat i arriti Kosova si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi.

Sipas një komunikate të MPJD-së, pjesëmarrja e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision paqeruajtës në Kuvajt, ka thënë të jetë një prej atyre arritjeve që u mundësua krahas këtij bashkëpunimi.

Gërvalla po ashtu ka përmendur edhe vendimin e institucioneve kosovare për strehimin e afganëve në Kosovë në bashkëpunim dhe koordinim me ShBA-të.

Po ashtu ka theksuar kontributin dhe përfshirjen e Kosovës në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes afirmimit ligjor, qasjes strategjike, veprimeve ekzekutive dhe pjesëmarrjes aktive në Koalicionin global. Në këtë kuadër ka njoftuar të pranishmit për sanksionet e vendosura ndaj organizatave dhe individëve që cenojnë paqen dhe sigurinë në botë.

Ky delegacion mori pjesë edhe në një pritje që u mbajt me pjesëtarë të komunitetit të Iowa-s, si dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare, ku patën rastin të zhvillojnë diskutime lidhur me bashkëpunimin mes të dyja vendeve e posaçërisht arritjet e Kosovës në fushën ushtarake.