Lajme

Zyrtarit të SHSKUK-së i digjet vetura, lëndohet një person

Vetura private e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, Musa Vitija është djegur derisa ai ishte duke raportuar në mbledhjen e Bordit Drejtues.

Nga ky zjarre ka pësuar edhe një person, i cili është lënduar.

“Rreth orës 14:45, është raportuar se  në parkingun e  QKUK-së në Prishtinë , një automjet është përfshirë nga zjarri.  Dyshohet që nga zjarri  ose tymi të jetë prekur edhe një automjet përreth. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit.  Deri më tani raportohet për një të lënduar”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për SHQIP.com.

Ai më tej, ka thënë se policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Ndryshe, për këtë incident ka dalur me një komunikatë edhe SHSKUK.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton se sot derisa po mbahej mbledhja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së dhe ishte duke raportuar drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, vetura e tij private është djegur në parkingun e drejtorisë së përgjithshme të ShSKUK-së. ShSKUK menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes”.

Tutje thuhet se, Bordi Drejtues dhe drejtoria e ShSKUK-së shprehen të shqetësuar me këtë rast, meqë djegia e veturës së të njëjtit zyrtar ka ndodhur edhe para disa javësh dhe kërkojnë nga organet kompetente të hetojnë rastin në detaje./SHQIP.com

/Shqip.com