Lajme

Zyrtari i LDK-së: Mbi 26 mijë kosovarë i janë shtuar listës së qytetarëve të varfër në dy vite të qeverisjes Kurti

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për të ndarë 5 milionë euro në përkrahje të qytetarëve në nevojë për blerjen e druve për ngrohje gjatë dimrit.

Rukiqi e ka quajtur Qeverinë Kurti si “OJQ” dhe ka thënë se Kurti nën presionin e skandaleve po i kthehet populizmit, duke marrë vendim për shpërndarje të ndihmave për dru.

Ai tutje ka thënë se 26 mijë qytetarë ia në shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit dhe shton se qytetarët s’kanë nevojë për lëmoshë por për jetë të përballueshme dhe të dinjitetshme.

Reagimi i plotë:

Organizata Joqeveritare “Qeveria Kurti”

Kryemashtruesi, nën presion nga skandalet, me dështime në çdo fushë që i prek qytetarët e vendit dhe nën sanksione, i kthehet edhe njëherë kartës të popullzimit.

E ka shndërruar qeverisjen në nivelin e një organizate që shpërndan ndihma.

Duhet të ja rikujtojmë prapë, që me ndihma nuk ka zhvillim e as punësim. Mbi 26,000, është numri i qytetarëve, që i janë shtuar listës të të varfërve, në dy vite të qeverisjes të lëvizjes Vetëvendosje.

Qytetarët nuk kanë nevojë për lëmoshë. Kanë nevojë për vende pune, si dhe jetë të përballueshme dhe të dinjitetshme.

/Shqip.com