Lajme Ballkan

Zyrtari i lartë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare 

Muhamed Zekiri

Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se nga gjykata ka kërkuar t’i shqiptohet masë arresti një zyrtari të lartë të shtetit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I cili dyshohet se gjatë periudhës, prill 2021 – janar 2022, ka shfrytëzuar pozitën zyrtare pa zbatuar procedurë përkatëse për furnizim publik, ka nënshkruar marrëveshje për shërbime konsulence me person juridik, për të cilën vepër me paramendim është ndihmuar nga dy shtetas kroatë.

Hetimi, të cilin e ka filluar Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër një funksionari të lartë, mësohet se ka të bëjë me sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri.

“Me veprimet e ndërmarra, të dyshuarit, për kompaninë kanë siguruar pasuri pronësore të kundërligjshme në vlerë prej 57.932.100,00 denarësh, në dëm të buxhetit të RMV-së. Kjo vlerë që ishte më e madhe se 795.000 euro nga vlera e dakorduar për kryerjen e shërbimeve konsulente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike Themelore për ndjekje të krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Muhamed Zekiri, ka reaguar menjëherë pas kësaj përmes një postimi në Facebook ku ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të Përgjithshëm në Qeverinë maqedonase.

“Besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do të dalë në shesh. Të gjitha institucioneve ju qëndroj në dispozicion në çdo kohë për të dëshmuar pafajësinë time”, ka shkruar ndër tjerash Zekiri./Shqip.com