Lajme

Zyrtarët e Listës Serbe refuzojnë ftesat e Prokurorisë

Lista Serbe

Zyrtarët e Listës Serbe kanë refuzuar ftesat e Prokurorisë lidhur me një shkelje të rendit kushtetues.

Ftesat u janë drejtuar zyrtarëve të Listës Serbe mirëpo që ato nuk janë pranuar nga ana e tyre raporton Radio Evropa e Lirë.

Ftesat janë dorëzuar gjatë ditës së sotme.

Po ashtu është bërë e ditur se ftesat u janë dërguar kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetarit Igor Simiq dhe anëtarit të kryesisë, Slavko Simiq.

“Në emër të Listës Serbe, mbesim të qëndrimi se asnjë nga personat e asaj liste, duke përfshirë anëtarët tanë, nuk do t’i përgjigjet asaj ftese, sepse është një persekutim i pastër politik që ka për qëllim persekutimin e popullit tonë nga këto hapësira, si dhe se në rast të arrestimit të cilitdo njeri nga ajo listë, do të pasojnë protestat me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, madje edhe zbatimin e mosbindjes civile”, thuhet në deklaratë.

Rakiq, në një konferencë për media, më 25 prill, tha se kishte informacione se Prokuroria Speciale e Kosovës kishte iniciuar procedura kundër “qytetarëve, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe përfaqësuesve politikë serbë për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.

“Bëhet fjalë për ngjarjet, gjegjësisht, për protestat kundër veprimeve të njëanshme të Prishtinës gjatë vitit të kaluar. Ky është një persekutim i popullit tonë me motive etnike dhe politike. Sipas informacioneve që kemi, bëhet fjalë për procedim ndaj më shumë se 70 qytetarëve tanë”, tha Rakiq, pa e precizuar se për cilën protestë bëhej fjalë.

Policia e Kosovës për Rajonin e Veriut, më herët, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se policia po ua dërgon ftesat individëve, por nuk kanë specifikuar saktësisht se çfarë ka në ato ftesa.

Lidhur më këtë Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Prokurorisë Speciale dhe Ministrisë së Brendshme të Kosovës, por askush nuk iu përgjigj pyetjeve.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan në tetor të vitit të kaluar, pas një aksioni të Policisë së Kosovës për të luftuar kontrabandën e mallrave në rajonet e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës së Veriut.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në atë aksion janë konfiskuar “mallra kontrabandë në vlerë prej qindra mijëra eurosh”, si dhe janë mbyllur disa rrugë alternative, të cilat përdoreshin për kontrabandë mallrash./Shqip.com