Zyrtarët e LDK-së takojnë shefin e Misionit të FMN-së
Ekipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i përbërë nga Hykmete Bajrami, Besian Mustafa e Berat Rukiqi, kanë pritur në takim shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Gabriel Di Bella së bashku me ekipin e tij.
Siç njofton LDK-ja, në këtë takim është diskutuar për gjendjen ekonomike në vend si dhe për dy programet, “Stand by Agreement” dhe “Resilience Sustainability Facility”.
“Për më tepër gjatë takimit delegacioni jonë ndau shqetësimet e LDK-së për gjendjen ekonomike në vend, duke e vendosur theksin te ndryshimet strukturale të buxhetit, ku pjesa më e madhe e parasë publike sot shkon në subvencione pa ndonjë efekt pozitiv, niveli i ulët i investimeve kapitale, tendencat e ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi me vendime arbitrare, mungesa e reformave fiskale e strukturore janë vetëm disa nga veprimet ose mosveprimet të cilat kanë ndikuar që norma e rritjes ekonomike sot janë në nivelet me të ulëta në dekadën e fundit”, thuhet në komunikatën për media.
LDK e ka falënderuar shefin e FMN-së, Di Bella për vizitën për dy programet aktuale dhe janë zotuar për bashkëpunimin e votim të marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, të cilat ndikojnë pozitivisht në reforma fiskale, strukturore dhe të stabilitetin ekonomik në përgjithësi.
“LDK falënderon misionin e FMN-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm me partinë tonë”, thuhet në komunikatën për media.
/Shqip.com