Sport Shqiptar

Zyrtare: Talenti 16-vjeçar brazilian transferohet në Real Madrid

Real Madridi ka bërë goditjen e madhe, duke siguruar shërbimet e njërit nga talenteve më të mëdhenj në botë, brazilianit Endrick.

Sulmuesi i talentuar brazilian ishte ndër më të kërkuarit nga top klubet evropiane, përfshirë Barcelonën, Chelsean, Bayern Munich, PSG, Manchester United e Juventus.

Megjithatë ishin Los Blancos që kanë siguruar shërbimet e sulmuesit të talentuar dhe tanimë e kanë zyrtarizuar afrimin e lojtarit.

16-vjeçari megjithatë do të mbetet te skuadra e tij Palmeiras deri në verën e vitit 2024, kur do t’i bashkohet gjigantëve spanjollë.

“Real Madrid CF, Palmeiras, Endrick dhe familja e tij kanë arritur një marrëveshje sipas së cilës lojtari do të jetë në gjendje t’i bashkohet Real Madridit kur të jetë rritur në korrik 2024”.

“Deri atëherë, Endrick do të vazhdojë stërvitjen e tij në SE Palmeiras. Lojtari në ditët në vijim do të udhëtojë drejt Madridit për të vizituar ambientet e klubit tonë”, thuhet në njoftimin e shkurtër të gjigantit spanjoll.

Përkundër se dy klubet nuk kanë zbuluar detaje të tjera, mediat në Spanjë dhe Brazil kanë arritur të gjejnë shumën që është paguar për brazilianin.

Gjithnjë sipas mediave spanjolle dhe atyre braziliane, Los Blancos janë pajtuar të paguajnë 35 milionë euro te Palmeiras për ta fituar garën për sulmuesin e ri.

/Shqip.com