Sport Shqiptar

Zyrtare: Kosova bëhet me përzgjedhës të ri

Në mbledhjen e vet të rregullt Bordi i FVK-së i kryesuar nga presidenti Bahri Gjinovci, ka marrë vendim që ish-kapiteni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në volejboll, Donald Suxho, të emërohet përzgjedhës i Kosovës U17 te vajzat, njofton Federata e Volejbollit e Kosovës, shkruan Shqip.com.

Suxho që njëherit është në mesin e volejbollistëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, merr pëlqimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës.

46 vjeçari i lindur në Korçë, e që në karrierë njihet për paraqitjet e tij me kombëtaren e SHBA-ve në Kampionate Botërore dhe dy herë edhe në Lojërat Olimpike, ato të Athinës 2004 dhe në Londra 2012.

“Angazhimi i Suxhos si përzgjedhës i Kombëtares U17, shihet si hap vizionar, në fokusin që e ka shtëpia kosovare e volejbollit, për të ndërtuar diçka serioze në një afat më të gjatë. Përkushtimi përmes investimit në ardhjes si kjo e legjendës së volejbollit shqiptar Donald Suxho, është dëshirë e vullnet për të krijuar bazë të shëndoshë, qysh në grupmoshat e reja, frytet e së cilës do të shihen në të ardhmen e volejbollit tonë”, shprehet presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci.

Donald Suxho është shprehur tejet entuziast me vendimin e FVK-së, duke e komentuar si kënaqësi reciproke.

“Jam shumë krenar dhe i gëzuar që po vij prapë në Kosovë nga janari. Dua të falënderoj shumë Federatën e Volejbollit në Kosovë, shokët e mi të ngushtë, trajnerët dhe shoqërinë që më kanë bërë një nder shumë të madh, për të marrë pjesë si trajner me gocat e moshës 17-vjeç. Për mua si Donald, e ardhja e çdo sporti, por edhe në jetë, janë fëmijët tanë, kështu që ne gjithmonë do të investojmë dhe t’u ndihmojmë 100% për të ndërtuar të ardhmen tonë”, deklaroi Suxho.

Ardhja e Suxhos në opinionin e volejbollit është pritur me entuziazëm, duke qenë emri më i madh i këtij sporti që e merr një pozitë drejtuese në një prej ekipieve të Kosovës.

Sfidat e para të Suxhos pritet të jenë në Janar të vitit 2023, kur me Përfaqësuesen U17 do të paraqitet në ndeshjet ndërkombëtare.

/Shqip.com