Sport Ndërkombëtar

Zyrtare: Barcelona shet të drejtat televizive për 267 milionë euro

FC Barcelona

Krizës financiare që e ka kapluar klubin duket se po i vjen fundi.

Fc Barcelona ka njoftuar se ka arritur marrëveshje për shitjen e 10 për qind të të drejtave televizive.

Firma investive e Sixth Street, e cila ka përvojë në biznesin e sportit,  do të ketë këtë ekskluzivitet për 25 vjet.

Nga ana tjetër, ‘infuzioni’ i Barcelonës – që arrin shifrën e fitimit kapital prej 267 milionë eurove – do të jetë i menjëhershëm pasi që fillon që nga sezoni aktual.

Sixth Street fillimisht do të investojë 207.5 milionë euro për të drejtat transmetuese në kuadër të ndeshjeve të La Ligës që i zhvillon klubi.

Transaksioni është duke u ekzekutuar pas marrjes së mbështetjes dërrmuese nga anëtarët e Klubit në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme të fundit.

“Ne po aktivizojmë leva ekonomike dhe po zbatojmë strategjinë tonë të durueshme, të qëndrueshme dhe efikase për të forcuar bazën financiare të klubit,” tha Joan Laporta, President i FC Barcelona.

“Sixth Street është një mbështetës i dëshmuar i futbollit, një investitor me përvojë në të gjithë sportet dhe mediat globale dhe një partner që do të kontribuojë me njohuri dhe burime të rëndësishme duke na lejuar të menaxhojmë në mënyrë të pavarur operacionet tona”, shtoi ai.

Po ashtu, për këtë marrëveshje bashkëpunimi ka folur edhe përfaqësues të kompanisë në fjalë, të cilët janë shprehur se kanë besim në strategjinë e klubit.

“Ne besojmë në strategjinë që Joan Laporta dhe FC Barcelona po zbatojnë dhe jemi krenarë që një nga klubet më të njohura në futboll na ka zgjedhur ne të jemi partneri dhe ofruesi i zgjidhjeve kapitale,” tha Alan Waxman, bashkë-themelues dhe CEO i Sixth Street.

“Ekipi ynë pret një partneritet afatgjatë duke ofruar kapitalin tonë fleksibël dhe ekspertizë të thellë të sektorit sportiv për të mbështetur Barçën ndërsa vazhdon të forcojë organizimin e saj dhe të arrijë objektivat e saj strategjik”, u shpreh Waxman.

(Foto: FC Barcelona) Grafika që tregon miratimin e kësaj marrëveshje nga Asambleja e Jashtëzakonshme

Përndryshe, gjiganti spanjoll është aktualisht në ndjekje të disa lojtarëve cilësorë në treg.

Emrat si Robert Leëandoëski, Raphinha, Jules Kunde e disa të tjerë, janë në planin e trajnerit, Xavi Hernandez, që po mundohet të krijojë skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm.

Me këto fonde, Barça tani duket një kandidat serioz në zhvillimet e afatit kalimtar. /Shqip.com