Lajme Të braktisur nga shteti, braktisin shtetin

Zyra e vizave në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë ndër më të mëdhatë në botë – “të gjithë po ikin”

“Për ndërtimin e stallës si bujk kam aplikua për subvencionim dhe kam qenë përfitues i grandit, mirëpo më besoni që aq sa kam qenë përfitues, aq kam qenë edhe dështues. Me një fjalë, ra ai grand e ika nga Kosova. U futa në borxhe se ndihma e shtetit nuk mjaftoi dhe punova 4 vite pa ndalë, ditë e natë, për t’i pagua borxhet, por prapë asgjë”.
Foto: Ilustrim
Foto: Ilustrim

Tokat në Kosovë që njihen si ndër më pjelloret në rajon, dalëngadalë po mbesin pa të zotët e tyre.

Të lënë anash nga shteti, bujqit po marrin “rrugët e mërgimit” me shpresën që shteti ku “strehohen” do t’u ofrojë mundësi më të mira punësimi e zhvillimi.

I tillë është edhe rasti i V.Z., nga fshati Drejë i Istogut, i cili ditë më parë mori vizë pune nga ambasada gjermane, për të cilën kishte pritur me vite.

Në Kosovë la bashkëshorten me tre fëmijët – të gjithë nën 10-vjeç.

Veç ndarjes nga familja, e vështirë për të ishte edhe të hiqte dorë nga puna të cilët e bënte me shumë pasion për vite të tëra – punonte tokën dhe kishte një stallë me 22 krerë lopë.

Në këtë mënyrë ai siguronte bukën e familjes dhe të hollat për shkollimin e fëmijëve.

Por, jeta po i rëndohej pasi për katër vite po paguante borxhin që kishte marrë për ndërtimin e stallës.

Kjo, siç tregon ai për Shqip.com, ishte dhe arsyeja që vendosi t’i  thotë “lamtumirë” Kosovës.

“Për ndërtimin e stallës si bujk kam aplikua për subvencionim dhe kam qenë përfitues i grandit, mirëpo më besoni që aq sa kam qenë përfitues, aq kam qenë edhe dështues. Me një fjalë, ra ai grand e ika nga Kosova. U futa në borxhe se ndihma e shtetit nuk mjaftoi dhe punova 4 vite pa ndalë, ditë e natë, për t’i pagua borxhet, por prapë asgjë”.

V.Z., është vetëm një nga mijëra shtetas të Kosovës të cilët kanë aplikuar për viza pune në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.

Qytetarët duke pritur para ambasadës gjermane në Prishtinë

Kjo e fundit në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, thotë për shkak të kërkesave të mëdha për viza pune, kanë rritur dukshëm kapacitetet, ashtu që “zyra e vizave tani është njëra nga zyrat gjermane më të mëdha të vizave në botë”.

“Mirëpo, kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes për viza pune fatkeqësisht ka qenë e pashmangshme.“

Vetëm gjatë vitit 2019, Ambasada Gjermane në Prishtinë thotë se ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza.

“Prej tyre rreth 36 mijë viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtra (viza Schengen), si dhe rreth 15 mijë viza nacionale për qëndrime afatgjata (d.m.th. për bashkim familjar, viza pune, viza studimi, etj.)”.

Ndërsa, gjatë pandemisë, periudha 2020-2021, ka lëshuar vetëm viza për kategori të caktuara si: bashkim familjar, studime dhe kategori të caktuara të vizave të punës për punëtorë me kualifikim të lartë.

Numri kishte rënë meqë zyra, për shkak të shtrëngimeve nga virusi, ishte mbyllur për një kohë.

Por, me rifunksionalizimin e zyrës, kërkesa për viza është kthyer edhe më masive seç ishte më parë.

E shqetësuese ikjen e të rinjve nga Kosova po e cilëson kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi

Ai ka paralajmëruar se vendi do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore viteve në vijim.

Madje, siç thotë Azemi për Shqip-in, numri më i madh i punëtorëve që po ikin nga Kosova janë profesionistë të fushës.

“Sipas të dhënave që i kam, në periudhën 2018-2021 kanë dalë mbi 200 mijë punëtorë nga Kosova, të profileve të ndryshme”.

Ai arsyeton ikjen e të rinjve, duke thënë se “nuk jetohet deri në pafundësi duke shpresuar se në Kosovë do të bëhet mirë”.

“Mbi 70 për qind e punëtorëve që punojnë këtu, në Kosovë, e kanë qëllimin të dalin jashtë sepse shteti nuk merret seriozisht me ta dhe kjo do t’i kushtojë vendit, në veçanti pronarëve të kompanive që do të mbesin pa punëtorë”.

Ligjet në Kosovë, sipas Azemit, janë të mira, por ka mungesë të zbatimit të tyre.

E kjo thotë ai, ndikon që “Kosova të zbrazet”./SHQIP.com