Zyra e kryeministrit tregon se çka bisedoi Kurti me Elvis Naçin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me humanistin dhe teologun nga Shqipëria Elvis Naçi.
Zyra e kryeministrit ka treguar se në takim ka marrë pjesë edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Në praninë e kryetarit Bulliqi, Naçi, qytetarëve të Komunës së Podujevës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e udhëheqësve fetarë lokal, dje u vendos gurthemeli i ndërtimit të lagjes së re në Podujevë ku do të ndërtohen shtëpi dhe infrastruktura përcjellëse për familjet në nevojë të kësaj komune”.
“Ky projekt humanitar me vlerë prej 1 milion euro, po mundësohet nga fondacioni Shqiptarët për shqiptarët”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Kryeministrit Kurti po ashtu e ka falënderuar humanistin Elvis Naçi, për punën dhe kontributin e tij për komunitetet në nevojë.
“Shoqëria jonë shquhet për vlera dhe karakterin humanist. Çdo gjeneratë ka pasur në mesin e tyre veprimtarë humanistë që kanë marrë përsipër misione fisnike për t’i dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se gjatë qeverisjes së tij, shoqatat dhe veprimtarët humanistë do të bashkëpunojnë me institucionet për të plotësuar, e jo zëvendësuar, njëra-tjetrën drejt qëllimit për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. /Shqip.com