Lajme

Zyra e BE-së në Kosovë: Vetingu është masë ekstreme

Flamuri i Bashkimi Evropian dhe i Kosovës

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka ripërsëritur se BE nuk sheh që në Kosovë është gjendje ekstreme që të ketë veting në sistemin e drejtësisë, transmeton Shqip.com.

Ai madje, derisa bëri një krahasim me vendet e rajonit, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është në nivelin më të mirë më mundur, por as nuk është më i keqi, duke e cilësuar kështu si një sistem mesatar.

“Kur ne e krahasojmë sistemin e Kosovës me sistemet e tjera të regjionit, në fakt ne shohim një sistem që normalisht nuk është perfekt, por po ashtu nuk është as më i keqi i mundshëm nga i gjithë rajoni. Pra, parimisht është një sistem mesatar”, ka thënë ai për ‘Interaktiv’.

“Nuk besojmë se janë kushtet për masa kaq ekstreme dhe ne më parë sugjerojmë që Kosova të bëjë ndryshimet nga brenda, diçka të cilën e ka, porse nuk po e përdor, sepse ka mjete brenda këtij sistemi që i lejon shtetit të Kosovës të vlerësojë integritetin e gjykatësve”, shtoi më tej Szunyog.

Sipas tij, Qeveria po provon zgjidhje të shpejtë, por se nuk po i përdorë mjetet e duhura përbrenda një sistemi që veç e ka.

Ai ka përsëritur qëndrimin e BE-së që të përdoren mjetet ekzistuese të brendshme dhe nëse ajo s’funksionon mund të kalohet në “diçka më të fortë”.

Szunyog ka thënë se s’ka parë tendenca që Qeveria me veting po mundohet të marrë në dorë gjyqësorin. /Shqip.com