Zyra e BE-së: E kaluara nuk mund të zhbëhet, por e ardhmja do të sjellë drejtësi

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar me rastin e shënimit të 24-vjetorit të masakrës së Reçakut.
Në një postim në faqen e tyre zyrtare nga kjo zyrë thuhet se e kaluara nuk mund të zhbëhet por e ardhmja do të sjellë drejtësi.
“Sot shënohet 24-vjetori i masakrës së Reçakut/Raçakut. Kujtojmë dhe nderojmë viktimat dhe ndajmë pikëllimin dhe dhimbjen e pakonceptueshme të familjeve të tyre. E kaluara nuk mund të zhbërë, por e ardhmja do të sjellë drejtësi, mbyllje dhe lehtësim”, thuhet në reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ish-diplomati amerikan, William Walker ka përkujtuar kohën kur ndodhi masakra e Reçakut para 24 viteve në Kosovë në të cilën u vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.

Walker përkujton masakrën e Reçakut, përmend planin e Millosheviqit dhe Vuçiqit – SHQIP.com
Në fjalimin e tij, Walker tha se Millosheviqi dhe presidenti aktual i Serbisë, donin që ta përhapnin versionin e tyre për Reçakun gjë e cila iu dështoi.
“Masakra e Reçakut nuk ishte as e para dhe as e fundit që u bë në Kosovë. Por, u bënë disa gjëra bashkë atë ditë dhe të nesërmen bota mësoi për Reçakun. Ishte në faqet e para të gazetave të të gjithë botës dhe aty filloi ky proces ku Qeveria e Beogradit, Millosheviq e Vuçiq filluan të bënin gjëra duke menduar se ata ishin të zgjuar duke u munduar që ta sigurojnë botën se nuk e kanë dëgjuar të vërtetën për Reçakun dhe ata dëshironin ta përhapnin versionin e tyre së çfarë ka ndodhur në Reçak”.
Tutje, Walker tha se fatmirësisht ajo që ishte planifikuar nga Millosheviqi dhe Vuçiqi nuk ndodhi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mos të ishte ambasadori William Walker që e cilësoi si krim kundër njerëzimit, masakrën në Reçak, të masakruarit do të vriteshin për së dyti nga propaganda e Serbisë.
Osmani: Të masakruarit në Reçak do të vriteshin për së dyti nga propaganda serbe – SHQIP.com
Në fjalimin e saj pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, Osmani tha se Kodra e Bebushit, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më.
“Kodra e Bebushit, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane. Të masakruarit, do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë dhe gënjeshtrës informative që asokohe e udhëhiqte presidenti Aleksandër Vuqiq. Sikur, ambasadori Walker i cili doli në vendngjarje, të mos kishte lëshuar kushtrimin gjithandej botës, pa asnjë hezitim të vetëm duke e cilësuar me të drejtë këtë ngjarje si krimi kundër njerëzimit”, tha Osmani.
Me masakrën e Reçakut, sipas Osmanit vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritjen e tij.
Kurti: Ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë përsëritjen e tij – SHQIP.com
Në fjalimin e tij pas homazheve në Reçak, Kurti tha se tashmë është lëshuar fletarrest për 18 serbë të cilët dyshohen për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, atë kohë ishte ministër informativ gjë të cilën tha se masakra e Reçakut ishte fabrikim. Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet. Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha Kurti.
Kurti tha se Kosova nuk amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.
/Shqip.com