Lajme

Zyba i reagon Ganimete Musliut: Skandaloze t’i bëni thirrje mërgatës për sabotim të Fondit për Siguri

Kandidati i VV-së për kryetar të Suharekës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka thënë se është skandaloze që të bëhet thirrje për siç e ka quajtur ai sabotim të Fondit për Siguri nga mërgata.

Zyba këto akuza ia drejtoi deputetes nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, e cila e kishte mbajtur një fjalim para diasporës në Gjermani ku kishte thënë se ata janë duke u mashtruar nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

“Në kohën e kërcënimeve të përditshme nga Serbia, të rrethanave të reja globale për shkak të luftës në Ukrainë, në kohën e një pasigurie globale, pra mu në kohën kur më shumë se kurrë kemi nevojë për siguri e për të cilën gjë e kemi edhe FSK-në, të shkosh në mërgatë dhe t’i bësh thirrje mërgatës për sabotim të Fondit për Siguri të krijuar nga Qeveria e Kosovës, është më shumë se skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese”.

Ganimete Musliu – deputete e PDK-së

“Nëse ka pasur përbashkim shoqëror e politik në Kosovën e pasluftës ajo është padyshim Ushtria e Kosovës dhe forcimi i saj, por sot për këtë gjë fatkeqësisht të pakënaqur krahas Vuçiq-it e Serbisë na paska dale edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu. E kam të pamundur ta kuptoj motivin e kësaj thirrje”,ka shkruar Zyba në rrjetin social Facebook.

Musliu, para mërgimtarëve në Gjermani kishte thënë se kryeministri Kurti është duke e mashtruar diasporën me Fondin e Sigurisë.

“Ai (Albin Kurti) diasporen e sheh vec si kuletë dhe si votë, asgjë më tepër. Prandaj, mos lejoni të ju keqpërdorë. Nuk bëhet ushtria e Kosovës me ndihma. Për ushtrinë e Kosovës PDK ashtu sic e ka themelu ka dhënë edhe plan konkret se si duhet të bëhet dhe forcohet ushtria”, kishte thënë Musliu.

Ndërsa, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të mos kontribuojnë në Fondin e Sigurisë./Shqip.com