Lajme

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Vendimi i Kosovës na befasoi, lusim qeverinë t’i rishqyrtoj masat

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nuk e ka mirëpritur vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës ku si kusht për të hyrë brenda territorit është doza e tretë e vaksinës kundër Coronavirusit.

Grubi, në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, shprehet se është befasuar kur ka dëgjuar se autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë marrë një vendim të tillë.

“Vendimi i fundit i autoriteteve shëndetësore kosovare na befasoi dhe nuk e kuptoj arsyen për një masë të tillë”.

Masat e reja janë të pakuptimta për Grubin pasi siç thotë ai, e njëjta gjendje epidemiologjike është edhe në Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.

“Situata shëndetësore është e njëjtë si në Kosovë dhe në Maqedoni të veriut apo edhe në Shqipëri, ndërsa OBSH dhe vendet perëndimore po shqyrtojnë largimin e kufizimeve”, ka thënë Grubi për Shqip-in.

Më tej, zv/kryeministri shpreson që Kosova ta heqë këtë masë dhe të rikthehen parapraket.

“Shpresoj që Qeveria e Kosovës do ta shqyrton këtë vendim gjatë javes që vjen dhe do të rikthehen masat paraprake”, përfundon Grubi.

Flamuri i Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut

Gjatë ditë së sotme, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, e ka telefonuar ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifin, për t’i kërkuar rishqyrtimin e vendimit për të mos e penguar qarkullimin e qytetarëve.

“Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë,  kërkova nga homologu im, Latifi, që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë”, ka shkruar Sali në Facebook.

Rastet me coronavirus në Kosovë janë rritur dukshëm ditëve të fundit.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, brenda 24 orëve në nivel vendi ka vdekur një një person i infektuar me SARS-CoV-2, ndërsa janë regjistruar 2 mijë e 957 raste pozitive.

Aktualisht në Kosovë janë 17 mijë e 743 raste aktive me COVID-19./Shqip.com