Lajme

Zvicra ua zgjat mandatin ushtarëve të vet në KFOR

Swisscoy do të mbetet në Kosovë deri së paku në fund të vitit 2026.

Ky është vendimi që është marrë sot Parlamenti i vendit – me 122 vota për, 44 kundër dhe 11 abstenime – për zgjatjen e mandatit të ushtarëve zviceranë në KFOR si dhe për mundësinë e rritjes së numrit të tyre në maksimumi me plus 30 ushtarë gjatë mandatit.

Pierre-Alain Fridez, këshilltar nacional, tha se prezenca e Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe (KFOR) mbetet e nevojshme si pasojë e situatës fragjile në terren, duke i përmendur ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, raporton media e Zvicrës “La Regione”.

Është në interesin e Zvicrës që të vazhdojë të përdorë Kompaninë e Zvicrës (Swisscoy), vepanërisht për arsye të sigurisë dhe që të shmang fluks të refugjatëve”, ka thënë ministrja e Mbrojtjes, Viola Amherd.

Përdorimi i Swisscoy i mundëson Zvicrës që të bëjë kontribute në sigurinë evropiane, “e cila është e nevojshme në kontekstin aktual të luftës në Ukrainë”, shtoi Melanie Mettler, anëtare e Këshillit Nacional të Zvicrës.

“Tërheqja e Zvicrës nga Kosova nuk do të kuptohej nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, shtoi ajo.

Franziska Roth, po ashtu anëtare e Këshillit Nacional të Zvicrës, përmendi diasporën e madhe të Kosovës në Zvicër.

Parlamenti po ashtu ka aprovuar edhe rritjen e numrit të ushtarëve në maksimumi plus 30.

Swisscoy aktualisht përbëhet nga 195 ushtarë vullnetarë.

Ndërkaq, nga opozita pati kundërshtime për vazhdimin e mandatit të ushtarëve zviceranë në KFOR.

“Duke i parë zhvillimet në javët e fundit, misioni i KFOR-it mund të konsiderohet dështim”, tha Erich Hess nga Partia Popullore e Zvicrës, raporton La Regione.

Ai shtoi se Zvicra është vend neutral, dhe për këtë arsye ushtarët zviceranë duhet të kthehen në shtëpi para se të përfshihen në ndonjë konflikt. 

/Shqip.com