Kulturë

Zvicra anulon “Festivalin Alba”, thonë se komuniteti shqiptar u prek rëndë nga pandemia

Anulohet "Festivali Alba" - Zvicër

Këtë fundjavë “Festivali Alba”, do të duhej të zhvillohej në zonën Hardturm të Cyrihut, mirëpo leja për këtë ngjarje madhore është tërhequr për shkak të situatës me Coronavirus. Mirëpo, bëhet fjalë për situatën e krijuar në komunitetin shqiptar, për çka këshilli qeveritar anuloi miratimin për mbajtjen e këtij festivali të muzikës shqiptare.

Në njoftimin e shkurtër të këshillit qeveritar të lëshuar pasditen e së enjtes, thuhet se një ngjarje e tillë është një barrë shtesë për spitalet në situatën aktuale të ndjeshme.

Madje, sipas tyre ky festival “synon kryesisht një komunitet të prekur rëndë”.

“Gjetjet nga gjurmimi i kontakteve të Kantonit të Cyrihut si dhe përditësimi i Task Forcës së Shkencës Covid tregojnë se të kthyerit nga Ballkani gjatë pushimeve janë infektuar me Covid-19 më shumë se mesatarja”, thonë nga qeveria, raporton “Blick.ch”.

Organizatorët e festivalit kanë shkruar një deklaratë ku kanë refuzuar atë se çfarë është thënë nga qeveria.

“Ne e marrim parasysh vendimin e këshillit qeveritar me shqetësim, tani po e shqyrtojmë atë ligjërisht dhe do të japim informacion në kohë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Anulimi i kësaj ngjarjeje të madhe dy-ditore do të jetë zhgënjyese si për organizatorët, ashtu edhe për vizitorët. Edhe më zhgënjyes është fakti se në të njëjtën zonë dhe në po të njëjtën datë do të mbahet një tjetër festival i quajtur “Energy Air”, por i cili nuk është anuluar.

Festivali Alba u shpall paraprakisht si “festivali më i madh shqiptar në Evropë”. Yjet e estradës shqiptare si Dhurta Dora, Elvana Gjata dhe Dardan, pritej të ishin pjesëmarrës në këtë festival. /Shqip.com