Lajme

ZRRE zhvillon takim me Ambasadën Amerikane, diskutohet pezullimi i shtrenjtimit të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji sot gjatë ditës ka zhvilluar një takim me përfaquesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ku është diskutuar për pezullimin e vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ZRRE-ja.

“ZRRE sot ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë, të cilët, për së afërmi u njoftuan rreth zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë, dhe në veçanti, u diskutua rreth situatës së krijuar si pasojë e procesit gjyqësor, në të cilin proces, me një vendim për masë të përkohshme, është pezulluar ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së për tarifat me pakicë të energjisë elektrike. ZRRE i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për paqartësitë e implementimit si edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit u elaboruan edhe veprimet procedurale të ndërmarra në këtë proces nga ZRRE, e së fundmi me parashtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm juridik, krahas kërkesës për Mendim Juridik, në Gjykatën Supreme të Kosovës, si edhe me kërkesat tjera për sqarime ligjore tek organet kompetente të drejtësisë lidhur me implementimin e vendimit gjyqësor./Shqip.com