ZRRE takon përfaqësuesit e MCC-së, diskutojnë për implementimin e programit në vlerë të mbi 200 milion dollarëve

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, është takuar me përfaqësuesit e Sfidës së Korporatës së Mijëvjeçarit (MCC).
Përmes një njoftimi për media nga ZRRE thuhet se në këtë takim është diskutuar për implementimin e programit i cili ka në vete tri projekte që arrijnë vlerën mbi 200 milion dollarë.
“ZRrE priti në takim përfaqësuesit e MCC-së, për të diskutuar rreth modaliteteve të implementimit të programit i cili ngërthen në vete tri projekte, rezervat dhe arbitrazh i energjisë (bateritë me kapacitet 170 MË, që ofrojnë rezervë për 340MWh), zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjisë si edhe Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim”, thuhet në njoftim.
Sipas ZRRE-së, në këtë takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të gjitha institucioneve në Kosovë në mënyrë që ky program të filloj të implementohet sipas afateve të parashikuara.

Para gjashtë ditësh bordi i drejtorëve të MCC-së kanë aprovuar Programin Kompakt të Kosovës me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.
Lidhur më këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky është investimi më i madh ndonjëherë në sektorin e energjisë.
Sipas Kurtit kjo do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë të drejtë të energjisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se miratimi i projektit kompakt nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, (MCC) do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi energjie elastike.
Krahas energjisë elastike, Osmani ka thënë se kjo marrëveshje kompakte do të ndikojë edhe fuqinë punëtore profesionale.
Kurse, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli të autorizohet nga presidentja Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në./Shqip.com