Lajme

ZRRE paralajmëron ankesë në Apel pas vendimit të Themelores për shtrenjtimin e rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë, ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për shtrenjtim të tarifave.

Dhe për këtë ndryshim në fatura apo kompensim të mjeteve mund të ketë tek pas vendimit përfundimtar të Apelit.

“ZRRE ju njofton se mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006) do të parashtrojmë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për Shqip.com.

Nga ZRRE-ja gjithashtu kanë bërë të ditur se konsumatorët kosovarë do të vazhdojnë të paguajnë me tarifat e shtrenjta, pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Ilustrim

“Ju njoftojmë se ZRRE-ja, ende nuk e ka pranuar aktvendimin në lidhje me vlerësimin e kërkesës  së palës paditëse, për shqyrtimin dhe vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dep. Për Çështje Administrative”, është bërë e ditur nga ZRRE-ja.

Ankesa e ZRRE-së, pengon që aktvendimi i Themelores të bëhet i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm.

“Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2  të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm.

Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thuhet tutje në përgjigjet e ZRRE-së.

Zyra e Rregullatorit për Energji

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se do të zbatojnë çdo vendim të Gjykatave, pasi të njëjtat të marrin formën e prerë dhe të bëhen të ekzekutueshme.

“ZRRE, gjatë gjithë kohës ka vepruar dhe vepron në pajtim të plotë me obligimet ligjore dhe Kushtetuese, dhe çdo vendim të Gjykatave e ka zbatuar dhe do ta zbatojë me kohë, pasi të njëjtat ta marrin formën e prerë dhe të bëhen të ekzekutueshme”, thuhet në përgjigjet e ZRRE-së.

Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë është pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Një vendim i tillë ka ardhur pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Shefi i Grupit parlamentar i kësaj partie, Abelard Tahiri ka thënë se ky vendimi ishte i kundërligjshëm.

Lexo edhe:
Tahiri: Pezulluam vendimin e kundërligjshëm për shtrenjtimin e 100 % të energjisë elektrike

Ai tha se kjo është fitore e madhe për ta dhe kërkon që vendimi të respektohet.

“Gjatë kësaj periudhe të krizës energjetike, kemi pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh që ta argumentojmë para Gjykatës që vendimi i Qeverisë Kurti dhe ZRRE-së ishte I kundërligjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët e Kosovës. Ky vendim i Gjykatës, dëshmon se kompetenca dhe dija triumfojnë./Shqip.com