Lajme

ZRRE nuk tërhiqet, mbron sërish vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Faturat e energjisë elektrike.
Faturat e energjisë elektrike.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi tha se tarifat e energjisë me çmim të shtrenjtuar janë ende në fuqi.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore për masa të përkohshme, Fejzullahu tha se gjykata nuk ka dhënë vendim të prerë, dhe kanë shfrytëzuar të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

“Kemi marrë vendim të drejtë dhe jemi duke shfrytëzuar të drejtën e ankimimit. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë, cilido vendim që të jetë nga Gjykata e Apelit ne do të respektojmë”, tha ai para deputetëve.

Përveç kësaj, Fejzullahu paraqiti edhe raportin e punës për vitin 2021.

Sfidë, siç tha ai ka qenë kriza energjetike dhe shtrenjtimi i imporitit të energjisë.

“Çmimet e importit, sidmos tetor, nënntor dhe dhjetor janë pesëfishuar. Çmimi mestar për import të energjisë gjatë vitit 2020 ka qenë 51 euro, ndërsa në vitin 2021, 119 euro. Konsumi në Kosovë është duke u rritur, jo për shkak të industrisë, por për shkak të konsumit shtëpiak”, shtoi ai.

Lexo edhe:
ZRRE sot paditet nga Partia Demokratike e Kosovës

I pyetur nga deputetët opozitarë për humbjet e energjisë në veri, Fejzullahu tha se janë duke bërë përpjekje për përafrim në lincencimin e Elektroserverit në veri.

Theksojmë se më 22 prill, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Kallëzimi penal është bërë për shkak të moszbatimit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullim të zbatimit të vendimit të ZREE-së lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike./Shqip.com