Ekonomi

ZRRE jep detaje për Shqip.com rreth dënimit të KESCO-s dhe KEDS-it

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka treguar për Shqip.com, arsyet se pse ka vendosur t’u vendos gjobë Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike – KEDS dhe Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO.

Sipas ZRRE-së, në rastin e KESCO-s, kjo kompani ka bërë shkelje të obligimeve ligjore, me çka është dënuar me 8.4 milionë euro.

“KESCO ka vepruar në kundërshtim me kushtet e Licencës, duke bërë ndër-subvencionim/ndër-financim të llogarisë së konsumatorëve të parregulluar nga llogaria e konsumatorëve të rregulluar që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, që është në kundërshtim me Nenin 5 par. 3 të Licencës për furnizim me energji Elektrike dhe konsiderohet shkelje të Nenit 31 të Ligjit për Energji Elektrike”, ka sqaruar ZRRE.

Tutje ky institucion ka thënë se kjo kompani ka shkelur edhe nenin 37 par. 5, lidhur me Nenin 5 të Ligjit për Energjinë Elektrike, që ka të bëjë me obligimin e shërbimit publik të dhënë me vendimin e ZRRE-së.

“Rregullatori siguron që kategoritë e ndryshme të konsumatorëve të mos përfitojnë nga i njëjti trajtim dhe mbrojtje, si dhe që rregullimi i çmimit të konsumatorit fundorë me të drejta të furnizimit si shërbim universal të jetë në dispozicion vetëm për të siguruar ofrimin e shërbimit universal për konsumatorë familjar dhe ata jo-familjar që gëzojnë këtë të drejtë”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për Shqip.com.

Tutje, Zyra e Rregullatorit ka thënë se kompania KESCO nga shtatori i vitit 2021, ka furnizuar Ferronikelin, pa marrëveshje kontraktuale.

Kurse, sa i përket gjobës në vlerë prej 2.7 milionë euro, ndaj KEDS-it, ZRRE thekson se kompania nuk ka prokuruar energjinë për mbulimin e humbjeve siç është parashikuar në dispozita ligjore.

“KEDS nuk ka ushtruar përgjegjësitë të dhëna me këtë legjislacion, i cili obligon OSSH-në, të siguroj energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe për shërbimet ndihmëse, sipas parimeve të tregut të energjisë elektrike, transparencës dhe jo diskriminimit”, thonë nga ZRRE.

Sipas tyre dështimi i KEDS-it për të nominuar energjinë elektrike për të mbuluar humbjet në shpërndarje ka rritur shkallën e devijimeve në nivelin e interkonkesionit, duke shkaktuar pasoja financiare.

/Shqip.com