Lajme Gjykata Speciale

ZPS kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën

Pjetër Shala
Pjetër Shala

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një parashtrese ka kërkuar nga trupi gjykues që Pjetër Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit, duke e konsideruar këtë masë si të nevojshme dhe proporcionale.

Sipas ZPS-së, asnjë fakt apo rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mund ta ndryshojë këtë konstatim që kur trupi gjykues e ka vendosur atë në vendimin e dhjetë të paraburgimit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, në këtë parashtresë thuhet se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe rreziqet që i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurën ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar dëshmi për ZPS-në dhe/ose janë paraqitur/do të dalin së shpejti para DhSK-së, mbeten të larta.

‘‘Fakti që i akuzuari ka ofruar prova inkriminuese në deklaratat e tij, duke konfirmuar dëshminë viva-voce të dëshmitarëve të ZPS-së dhe se këto deklarata tani janë në dispozicion të trupit gjykues për qëllimet e gjykimit të tij janë në vetvete një nxitje e mjaftueshme për të akuzuarin, nëse lirohet, të përpiqet të arratiset’’, thuhet në parashtresën e prokurorisë.

ZPS thotë se i Shala akuzohet për katër akuza për krime lufte dhe, nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë e që edhe prezantimi i vazhdueshëm i provave të ZPS-së dhe njohja e plotë e të akuzuarit për çështjen kundër tij rrit rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve dhe së bashku me faktin se trupi gjykues tani mund të përdor deklaratat e mëparshme të të akuzuarit për qëllime të gjykimit të tij, sipas ZPS-së, kjo rivendos ekzistencën e rrezikut të arratisjes.

Ndryshe, gjykimi në rastin e Pjetër Shalës pritet të vazhdojë më 30 maj 2023.

/Shqip.com