Lajme

ZPS kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit dhe Selimit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, ZPS me anë të një parashtrese drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, ka thënë se ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera ndaj atyre personave që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarë potencial.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

/Shqip.com