Lajme

ZPS kërkon që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite burgim

ZPS

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite burgim.

Prokurori, Cezary Michalczuk tha se për ndalim arbitrar kërkojnë 10 vite burgim, për trajtim mizor 20 vite burgim, për torturë 25 vite burgim dhe vrasje 33 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Rregulla 163 (4) kërkon nga paneli të japë një dënim të vetëm që të pasqyroj tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, sigurisht varet nga paneli ta dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen lidhur me pikat 1 deri në 4 ,të marrë së bashku apo me një dënim më të lartë burgimi se sa ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye ZPS kërkon që t’í jepet të akuzuarit një dënim i vetëm prej 35 vitesh burg”, tha ai.

Fillimisht, pas pauzës së drekës, prokurori Filipe Deminiqes ka thënë se provat tregojnë përtej dyshimit të arsyeshëm që viktima është vrarë dhe i akuzuari ka përgjegjësi penale.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa

Ai tha se të gjitha dërgojnë një konkluzion të vetëm, që viktima është vrarë dhe se Mustafa është përgjegjës për këtë.

“Keni parasysh se sa të ashpra kanë qenë keqtrajtimi i viktimës nga i akuzuari, ky keqtrajtim kishte të bënte me rrahje me shkopinj hekuri dhe përdorimin e thikave. E dyta, fakti që viktima nuk është liruar nga i akuzuari edhe kur të tjerët janë liruar, ishte ajo kur po largoheshin nga kompleksi i Zllashit është një moment thelbësor”, tha ndër të tjera.

Tutje, tha se duhet të merret parasysh afërsia me vendin ku është gjetur viktima me vendin në Zllash.

Ndryshe, Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë nga 24 shtatori i vitit 2020.

Ndaj Mustafës rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, për të cilat ky i fundit ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Në procesin gjyqësor ndaj Mustafës janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Pjesa më e madhe e tyre kanë kërkuar të dëshmojnë të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”./Shqip.com