Lajme

Zoti Berisha, pse Shkëlzeni mendon ndryshe nga ju për Ergys Agasin? Tre emrat që e dinë përgjigjen…

Përgjatë 2 ditëve, Sali Berisha ka hapur një “luftë” ndaj mediave në vend, duke përdorur gjuhë akoma edhe më të ashpër se ajo e Edi Ramës. Dje sulmoi mediat News24 dhe BalkanWeb, por pa përmendur emra. Sot vijoi retorikën e tij intimiduese duke përmendur pronarin, por me nofkë dhe jo emër mbiemër. Tipik mesazh mafioz ndaj një prej botuesve më të mëdhenj në vend i cili ka në pronësi edhe mediat më të mëdha e më serioze.

Por pse Sali Berisha trashi gjuhën pikërisht tani?

Ashtu siç ka raportuar Shqip.com, por edhe media të tjera në vend, po dalin në pah të dhëna që hedhin dritë mbi marrëdhënie të ndërlikuara mes politikës, kryesisht asaj djathtas dhe biznesit e oligarkisë në Shqipëri. Struktura e Posaçme Antikorrupsion krahas luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, njëkohësisht po hedh dritë edhe mbi pazaret e ndyra të politikës majtas e djathtas dhe biznesit.

Në qendër të këtyre raportimeve mediatike por indirekt edhe nga SPAK, është emri i Shkëlzen Berishës, për të cilin evidentohet se nuk ka vetëm njohje me personazhin kontrovers Ergys Agasi, por edhe interesa të përbashkëta biznesi.

Këto dyshime marrin një dimension më konkret pas zhvillimeve të fundit, ku SPAK ka zbuluar se pas pronësisë reale të një resorti luksoz, “Equos Resort” qëndronte pikërisht Ergys Agasi. Në të njëjtën skemë, si aksioner është identifikuar Shkëlqim Hoxha, ish-drejtori i Sali Berishës tek Lojërat e Fatit dhe njëkohësisht një figurë e konsideruar e afërt me Shkëlzen Berishën. Madje ka të dhëna se Çim Hoxha është ‘prestanome’ i bizneseve të Shkëlzenit në lidhje ortakërie me disa sipërmarrës pranë kryeministrit Edi Rama.

Vetë Shqip.com ka denoncuar me dokumente lidhjen mes Hoxhës dhe Agasit, duke forcuar bindjen se nuk bëhet fjalë për rastësi të izoluara, por për një rrjet marrëdhëniesh të ndërthurura. Në këtë kontekst, del në pah edhe emri i ndërtuesit Ilir Shtufi, me të cilin Shkëlzen Berisha rezulton të ketë interesa të përbashkëta biznesi.

Shtufi është aktualisht i angazhuar në projekte madhore në kryeqytet, përfshirë ndërtimin e kullës më të lartë në Tiranë, të njohur si “Mali i Tiranës”, një projekt ku përmendet sërish përfshirja e Shkëlzen Berishës. Në të njëjtën kohë, edhe lidhjet e Shtufit me Ergys Agasin përshkruhen si të afërta, duke e bërë këtë rrjet edhe më të dendur.

Nëse këto fije ndiqen deri në fund, ato duket se konvergojnë në një pikë të vetme: rrethin e ngushtë të Sali Berishës dhe djalit të tij. Kjo ngre një pyetje thelbësore jo vetëm për marrëdhëniet personale, por edhe për qëndrimet publike.

Zoti Berisha, a e keni pyetur ndonjëherë djalin tuaj se cili është qëndrimi i tij real ndaj Ergys Agasit? Dhe pse duket se ai mendon ndryshe nga ju? Ndoshta përgjigjet nuk gjenden në deklarata e tua publike, por në lidhjet që përmendin emra si Shkëlqim Hoxha, Ilir Shtufi, por edhe ndonjë tjetër.

Megjithatë, Shqip.com disponon dokumente, prova e fakte të panumërat mbi motivet që po e shtyjnë Shkëlzen Berishën të bëjë avokatinë e Ergys Agasit dhe të urdhërojë mediat e tij Syri Tv dhe Syri.net që të mos e përmendin më në raportime apo shkrime të cilat lidhen me dosjen hetimore të SPAK për skandalin e AKSHI. Përgjigjen kuptimplotë Sali Berishës mund t’ia japë fare lehtë Çim Peka… Gjithashtu, Shkëlzen Berisha me urdhër dhe porosi të Ergys Agasit po tenton edhe të devijojë fokusin e hetimeve për skandalin e AKSHI, duke ia “veshur” shkeljet “kukullës” Daniel Shima i cili në fakt është thjesht një tarallak i cili u gjend në kohën dhe vendin e duhur e bëri ca miliona pasuri.

© Shqip.com