Lajme

ZKA: KOSTT-i realizoi projekte pa miratimin e ZRRE-së dhe nuk ka arritur të menaxhoj disa procese të prokurimit

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT), kishte realizuar projekte që kapnin vlerën prej më shumë se 2.8 milionë euro pa aprovimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Në bazë të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, KOSTT-i ka lënë në hije projektet të cilat janë cilësuar me prioritet dhe janë aprovuar nga ZRRE-ja.

“KOSTT-i kishte realizuar projekte në vlerë prej mbi 2,8 milion euro që nuk kanë qenë të aprovuara paraprakisht nga Zyra e Rregullatorit për Energji, por me vonesë, sepse mungonte një planifikim i duhur i investimeve për shkak të mungesës së përvojës. Në anën tjetër, projektet në vlerë prej afër 27,4 milion euro, nuk janë realizuar ende edhe pse janë cilësuar me prioritet dhe janë të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në lidhje me këtë, ZKA ka rekomanduar që për projekte të merret aprovimi nga ZRRE dhe të njoh të hyra që janë në proporcion me vlerën e projekteve.

Ilustrim

Sipas këtij raporti, KOSTT-i nuk kishte arritur të menaxhojë disa nga proceset e prokurimit dhe kontratat përkatëse në mënyrën e efikase.

“Kjo kishte ndodhur për shkak se nuk kishte bërë hulumtim të mirë të tregut para përpilimit të specifikave teknike, ndarje jo të mirë të detyrave dhe menaxhim jo të mirë të kontratave. Në disa raste kishte përdorë kritere diskriminuese dhe të panevojshme që kanë çuar në ankesa e që janë pasuar ose me anulime të tenderit ose me vonesë në nënshkrim të kontratës e me implikim financiar. Në disa raste ankesat kanë çuar në pezullim pa afat të aktivitetit të prokurimit, gjë që e ka bërë KOSTT-in jo efektiv në prokurim”.

Kurse ZKA-ja në lidhje me këtë, ka rekomanduar KOSTT-in që të forcohen kontrollet në procesin e prokurimit dhe në menaxhimin e kontratave.

KOSTT është ndërmarrje publike në pronësi të Kuvendit të Kosovës dhe në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.

 Funksionet e këtij operatori rregullohen përmes politikave të ZRRE-së.

KOSTT-i operon me rrjetin aktual transmetues që përbëhet prej 1430 km gjatësi të linjave në nivelin e tensionit 400 kV, 220 kV, dhe 110 kV. Operon me 37 nënstacione të niveleve të ndryshme tensioni./Shqip.com