Lajme

ZKA: Komuna e Zubin Potokut, ende nuk përdorë evidencë elektronike për të punësuarit për vajtje/ardhje në punë

Zubin Potok
Zubin Potok

Komuna e Zubin Potokut, në raportin për pasuritë jo financiare, nuk i ka prezantuar pasuritë e blera kapitale gjatë vitit 2021, në vlerë prej 248,353€.

Kjo është bërë e ditur përmes një raportimi të Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Po ashtu është bërë e ditur se në anën tjetër, ndërtesat publike, rrugët dhe toka nuk janë regjistruar në SIMFK. Edhe pasuritë nën 1,000€ në vlerë prej 89,385€, nuk ishin regjistruar në sistemin “e-pasuria” apo në ndonjë platformë tjetër.

“Në PFV-të e vitit 2021 Komuna e Zubin Potokut, në nenin 19 Raport për pasuritë jo financiare, nuk i ka prezantuar pasuritë e blera kapitale gjatë vitit 2021, në vlerë prej 248,353€. Në anën tjetër, ndërtesat publike, rrugët dhe toka nuk janë regjistruar në SIMFK. Po ashtu, edhe pasuritë nën 1,000€ në vlerë prej 89,385€, nuk ishin regjistruar në sistemin “e-pasuria” apo në ndonjë platformë tjetër. Kjo çështje është trajtuar në auditimin e vitit të kaluar dhe janë bërë rekomandimet e duhura, megjithatë nuk ka veprime konkrete në këtë drejtim” thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Lidhur më këtë ZKA-ja ka kërkuar nga Kryetari, që duhet të ndërmerr masa për të siguruar se pasuritë mbi dhe nën 1,000€ janë regjistruar në regjistrat përkatës, për të gjitha pasuritë që ka në posedim në mënyrë që prezantimi i informatave në PFV të jetë i saktë dhe i plotë. Njëherë duhet të siguroj që është vënë në përdorim sistemi e pasuria.

Po ashtu, për të pasur një evidencë të saktë të stoqeve, të gjitha hyrjet/daljet e pasurive të luajtshme me vlera nën 1,000€, duhet të regjistrohen.

Në raportin e Auditimit del se në vitin 2021, në bazë të vendimeve gjyqësore përmbarimore, Thesari ka ekzekutuar një pagesë në vlerë prej 39,995€ për kompensimin e pagave në llogaritë e punëtorëve.

Nga kjo vlerë, nga kategoria paga dhe mëditje janë bërë pagesa 26,987€, ndërsa nga kategoria e investimeve kapitale 13,008€. Nga shuma totale, pagesat shtesë për shpenzime gjyqësore/përmbarimore dhe të interesit ishin në vlerë 8,059€.

Pagesat janë për 11 punonjës të Qendrës së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe për tre (3) punonjës të Shërbimit Zjarrfikës.

Një gjetje tjetër e auditorit thotë se Komuna ende nuk filluar me mbledh të hyra nga taksat e pronës dhe lejet e ndërtimit dhe nuk ka miratuar rregullore të brendshme për tatimet, tarifat, taksat dhe ngarkesat për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak se komuna ende nuk ka krijuar politika të zbatimit të ligjit dhe nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për mbledhjen e të hyrave nga këto aktivitete që kanë ndikim të rëndësishëm në nivelin e buxhetit komunal.

Gjithashtu sipas raportit del se Komuna ende nuk përdorë evidencë elektronike për të punësuarit për vajtje/ardhje në punë, apo lista në të cilat nënshkruhen punonjësit për ta dëshmuar prezencën e tyre në punë.

Lidhur më këtë ZKA-ja ka kërkuar që Kryetari duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar se zyrtarët nënshkruhen apo evidentohen në listën e vijueshmërisë apo regjistrin elektronikë, përndryshe kjo situatë paraqet shkelje disiplinore, në pamundësi të kontrollit të prezencës së këtyre zyrtarëve.

Po ashtu del se Komuna nuk mban regjistër për pranimin e faturave, për të kontrolluar dokumentacionin e pranuar dhe për të menaxhuar faturat/detyrimet e pagesës./Shqip.com